Kosova pa institucione/ Njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare: Dështime edhe në rritjen e njohjeve dhe anëtarësimin në organizatat e huaja

Që nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, Kosova është pa institucione funksionale për shkak të ngërçit politik të krijuar me moskonstituimin e Kuvendit.
Përpos që vendi është në një territor të panjohur juridikisht pas dështimit për formim të institucioneve brenda afatit kushtetues, Kosova ka pësuar edhe në arenën ndërkombëtare.
Njohësit thonë se vendi ka mbetur shumë prapa në angazhimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
“Nuk jemi anëtarë i asnjë mekanizmi serioz ndërkombëtar dhe kjo vetëvetiu do të duhej të ishte alarm në racionalitetin, nëse ka, të elitës politike. Kjo i dëmton aspiratat tona për rrugëtimin euroatlantik sepse të dëmton në rrugëtimin e evropian, në NATO por edhe anëtarësimin ën mekanizma të tjerë sepse nuk jemi prezent, lobimi është i zbehur por edhe qeveria jonë është në detyrë”, tha Dritëro Arifi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në anën tjetër, dialogu Kosovë-Serbi mbetet kyç për ecjen përpara të vendit në rrugën evropiane. Qeveria në detyrë, sipas njohësve nuk është legjitime të zhvillojnë takime me palën serbe e konsiderojnë se efekti i këtyre takimeve është zero.
“Kur nuk e ke një Kuvend i cili mund të legjitimojë apo jo gjithçka, çdo marrëveshje që ka nevojë të ratifikohet ose ndonjë mbikëqyrje, nuk është dhe kjo e humb legjitimitetin e takimeve. Ai mund të takohet edhe 50 herë por rezultati është zero”, tha Arifi.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit trilateral me homologun serb, Petar Petkoviq më 10 qershor, kishte thënë se nuk po negociohen marrëveshje të reja, porse po diskutohet për zbatimin e tyre aktuale.
Derisa pritet që më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese të nxjerrë një vendim se si do vazhdohet tutje për konstituimin e institucioneve, njohësit thonë se vendi këtë vit ka humbje të shumfishtë.
“Çdo ditë që nuk e kemi një Kuvend dhe një qeveri legjitime, humbja jonë është në katror, pra multiplikohet humbja jonë në arenën ndërkombëtare”, tha Arifi.
Për tre muaj me radhë, deputetët e zgjedhur nuk arritën të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë së re. Tashmë janë në pezullim me masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese. /tch