Kosova pa mekanizma për hulumtimin e shkaqeve të aksidenteve
Edhe pse Kosova nuk ka ende mekanizma që merren me hulumtimin e shkaqeve të aksidenteve në trafik, njëra ndër to mund të jetë edhe mungesa e njohurive rreth shenjave të komunikacionit nga ngasësit e automjeteve.
Se nuk i dinë shenjat dhe rregullat në trafik,
e thonë për Radio Kosovën dy qytetarë, të cilët janë pajisur me patentë shofer
pa iu nënshtruar testeve adekuate. Ndërkaq, eksperti i komunikacionit, Nol
Dedaj, konsideron se ky mund të jetë njëri nga shkaqet e aksidenteve të shumta
në vend.
Pajisja e qytetarëve me patentë shofer pa e përfunduar kursin praktik në auto
shkollë dhe pa iu nënshtruar testeve adekuate, është njëri nga shkaqet e
aksidenteve të shumta në vend. Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, tha për
Radio Kosovën se kjo dukuri mund të verifikohet shumë lehtë me një test të
dytë, pas aktit kur ndodh aksidenti.
”Megjithatë, këto gjëra mund të verifikohen shumë lehtë dhe qartë, nëse dikush
prej të lënduarve ose të lënduarve të cilët shkaktojnë aksidente edhe me
fatalitete mund ta kalojë testin në forma të tilla, duhet t’i nënshtrohet edhe
një testi tjetër për patentë shofer. Nëse ai e kalon këtë test 50 për qind,
atëherë vërtetohet se është pajisur me patentë shofer me njohuri, e nëse nuk e
kalon 50 përqindëshin atëherë dihet se patentën e ka marrë në forma të tjera e
jo me njohuri në autoshkollë”.
Dedaj vë në theks se një mekanizëm i tillë i testimit, i mungon Kosovës.
”Pse 50 përqindëshi? Për shkak se testimi në kushte të tilla dhe nën presion
atëherë konsiderojmë se e kalon testin me 50 për qind. Dhe ata që nuk e kanë
dhënë testin fare, apo në forma të tilla ose me pagesë ata nuk mund ta kalojnë
as 10 për qind e lëre më 50 për qind.”
Ndërkohë, Radio Kosova ka vërejtur se ka persona që pa ndjekur mësimet në
autoshkollë dhe pa iu nënshtruar asnjë testi janë pajisur me patentë shofer.
Një i ri, banor i rrethit të Prishtinës, M. H, thotë se ka ndjekur mësimet në
njërën nga autoshkollat, por që, sipas tij, në test me shkrim dhe në vozitje ka
shkuar pa pasur njohuri për rregullat e komunikacionit. Patentë shoferin thotë
ta ketë paguar me para.
E një tjetër qytetare nga Gjilani, E. S, thotë se nuk ka shkuar fare në
autoshkollë, por patentë shoferin e ka blerë. Sipas saj, patenta i është
nevojitur për një punë në shtetet jashtë Kosovës dhe është detyruar të bëjë një
gjë të tillë.
”Më është dashtë për punë shpejt, në Gjilan e kam marrë me të njohur, kam
paguar diku 400 euro. Nuk kam hyrë as në test as në vozitje. Nuk i kam ditur
rregullat e komunikacionit, me vozit nuk kam ditur mirë, mirëpo me kohë vetë i
kam mësuar. Nuk ka qenë fare lehtë por shumë vështirë.”.
Ndërkaq drejtuesi i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza
Shillova, ka thënë se raste të tilla janë evidente, për çka edhe janë hetuar
disa zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Shillova ka bërë
të ditur për disa nga ta ka dyshime se kanë kontribuar në dukurinë e përmendur
më lart.
”Disa zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, për të cilët ka
dyshime për aktivitetet e tilla. Hetimi është duke vazhduar, në të ardhmen do
të dëshmohet dhe do të hetohen të gjithë personat të cilët e keqpërdorin
detyrën zyrtare. Ne nuk kemi absolutisht dyshime që nuk ka edhe zyrtarë të
institucioneve shtetërore që kanë përgjegjësi edhe në raport me pyetjen të
cilën ju po e bëni.”
Ndërkaq, në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës nuk pranojnë se një
dukuri e tillë është duke ndodhur. Zëvendësministri në këtë ministri, Rexhep
Kadriu, thotë se nuk kanë informacione ku ndonjë zyrtar i kësaj ministrie ka
keqpërdorur detyrën zyrtare në këtë drejtim.
”Jo, nuk ka pasur raste të cilat janë hetuar. Nëse ka raste të cilat janë
hetuar, mund t’i drejtoheni Prokurorisë së Shtetit se deri ku kanë arritur me
rastet që kanë hetuar. Derisa ne nuk kemi informacione të tilla, atëherë
lirisht mund të drejtoheni te Prokuroria e Kosovës.”
Ndryshe, për të parandaluar aksidentet me fatalitet, Ministria e
Infrastrukturës këtë vit ka bërë një marrëveshje me qeverinë hungareze për
implementimin e sistemit inteligjent të menaxhimit të komunikacionit rrugor.
Kadriu bën të ditur se nga muaji maj, në çdo rrugë nacionale të Republikës së
Kosovës do të vendosen radarë me kamera.
“Në muajin prill apo maj do të vendosim radarë me kamera nëpër rrugët nacionale
të Republikës së Kosovës. Mirëpo, gjatë 2018 kemi bërë përpjekje të mëdha që
rrugët tona të kenë një sinjalistikë rrugore të mirë. Ne tash e kemi dyfishuar
buxhetin, që shkon në 4 milionë, për investime në sinjalisitikë rrugore”, ka
thënë ai.
Ndryshe vetëm gjatë vitit 2018 në aksidente komunikacioni kanë humbur jetën 110
persona.