11:38 / E Martë, 11 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kosova përkujton viktimat e SHBA-së nga sulmi i 11 shtatorit

Sot janë bërë 17 vjet nga kryerja e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 11 shtator të vitit 2001, u kryen sulmet më të tmerrshme terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me aeroplan të rrëmbyer nga terrorist u shembën kullat binjake në Nju Jork dhe u sulmua Pentagoni, ku humbën jetën më shumë se tre mijë qytetarë.

Kjo ditë u përkujtua edhe në Kosovë, në mënyra të ndryshme.

Me mëngjes, te Qeveria e Kosovës janë bërë homazhe në përkujtim të këtyre viktimave.

Pastaj, liderët e Kosovës kanë përkujtuar secili veç e veç këtë ditë, duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me SHBA-në.

Për nderë të kësaj dite, në nderim të viktimave të 11 shtatorit nxënës të shkollës “Hivzi Sulejmani” -Fushë Kosovë u nisen nga Shtatorja “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë me emrat e viktimave të vendosur në korniza deri te sheshi Bill Clinton.

Emrat e të vrarëve dhe fotografitë me pamje nga sulmi u vendosën në sheshin “Bill Clinton” nga këta nxënës.

Në nderim të viktimave të 11 shtatorit 2001 në SHBA, zjarrfikësit dhe emergjenca kanë defiluar me sinjalizime të ndezura si dhe Garda e Policisë së Kosovës e ka ulë në gjysmë shtizë flamurin te shtatorja e Presidentit Bill Clinton.

Ndryshe, përgjegjës për sulmin ishte organizata terroriste Al Qaeda, e cila vepronte kryesisht në Afganistan.

Pas këtij sulmi, SHBA-të dhe aleatët e saj, sulmuan trupat terroriste Al Qaedas në Afganistan, për t’i dhënë botës një jetë më të sigurt, ndërsa pas disa viteve, trupat amerikane vranë edhe liderin terrorist Bin Laden, i cili ishte strehuar në Pakistan me familjen e tij./Indeksonline/