75 Mall Live Search
16:14 / E Enjte, 07 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Kosova pjesë e projektit ‘Vrapo Botën 196’

Shteti i Kosovës është bërë vendi i 113-të për britanikun Nick Butter në misionin e tij për ta vrapuar nga një maraton në196 shtete të botës. Butter ka përshkuar distancën prej 42,1 kilometra në Prishtinë dhe në rrethinën e kryeqytetit i shoqëruar nga një grup vrapuesish nga Kosova.

Butter është vrapues i distancave të gjata, ultramaratonist dhe eksplorues i cili ka filluar projektin ‘Vrapo Botën 196’ për bamirësi që do të kontribuoj në kërkime shkencore për të luftuar kancerin e prostatës. Udhëtimi ka filluar në janar të vitit të kaluar në Kanada, ndërsa pritet të mbyllet me maratonin autentik të Athinës në Greqi në nëntor të këtij viti.

Në Kosovë, ai është pritur nga ‘X-Trailers’, grup i vrapuesve të shtigjeve të gjata dhe të malit. Para tyre dhe para nxënësve të shkollave Butter ka mbajtur prezantime për karrierën e tij dhe arsyet e nisjes së misioneve të tilla që thyejnë rekorde botërore.

Britaniku thotë se dëshiron ta bëjë botën më të mirë përmes eksplorimit, duke e shtyrë veten në kufinjtë individual dhe si rezultat të inspirojë mendjet e njerëzve për të çmuar secilin moment që së bashku kalojmë në këtë planet.

“Dua të besoj se kam harxhuar çdo pikë të potencialit tim, kam sfiduar veten përtej kufinjëve të pranueshëm … Mendoj se pikërisht çmenduritë, të cilat nuk i kanë shkuar në mend askujt, dhe ato nga të cilat kemi frikë, lejnë gjurmë pozitive në botë,” thotë Butter.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka hulumtuar mundësi të shtrirjes së punës për bamirësi edhe në mesin e kosovarëve.

#runningtheworld196 #xtrailers #running #kosova