Kosova pjesëmarrëse në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së

Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, në takimin e rregullt që mbahet më 16 maj, do i diskutojnë rrethanat në rajon në dritë të luftës në Ukrainë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Ballkani Perëndimor si pasojë e agresionit rus.
Në kuadër të debatit mbi Ballkanin Perëndimor, për diskutim joformal, ministrave evropian iu bashkëngjiten edhe koleget e tyre nga rajoni. Nga Kosova, në këtë takim, merr pjesë shefja e diplomacisë së vendit, Donika Gërvalla.
Pritet që gjatë takimit të nënvizohet sërish rëndësia e përshtatjes së politikave të jashtme me politikat evropiane sidomos për ato shtete që aspirojnë integrimin në BE.
Në këtë rrafsh, ministrat e jashtëm të BE-së, pritet që t’ia bëjnë me dije ministrit serb, se Serbia duhet të përcaktohet në lidhje me sanksionet kundër Ruisisë.
Serbia është i vetmi shtet në kontinentin evropian që nuk ia ka vendosur sanksionet Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Ndryshe, gjatë ditës në takimin ministror do vije për të diskutuar edhe ministri i jashtëm ukrainas Dmitro Kuleba. Kjo konsiderohet momenti më i rëndësishëm për takimin e sotëm, marrë parasysh se Koleba merr pjesë për herë të parë në takimin ministror në nivel të BE-së, prej nisjes së luftës në Ukrainë./RTK/