12:26 / E Martë, 10 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Kosova po e kërkon kundërshtarin e dytë pas miqësores me Suedinë, ja datat e rezervuara

Ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, dhe menaxheri Bajram Shala kanë mbajtur një konferencë shtypi, për të shpalosur detajet e ndeshjes miqësore me Suedinë, e cila do të zhvillohet më 12 janar në Doha.

Para këtij ballafaqimi, Kosova do të mbajë për disa ditë stërvitje në Katar. Shala ka komentuar edhe spekulimet se Kosova do ta zhvillojë atje edhe një miqësore tjetër.

“Do t’i kemi 4 stërvitje. Për shkak të kushteve klimatike është shumë vështirë të punohet këtu dhe stërvitjet do të zhvillohen në Katar. Ka kontakte për të zhvilluar edhe një ndeshje miqësore , po nëse zhvillohet ndeshja tjetër do të jetë me 16 janar po njëherë e konfirmuar është vetëm ndeshja me Suedinë”, shtoi Shala.

Ndërsa ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, tha se kjo ndeshje miqësore po vjen në një kohë të papërshtatshme, mirëpo se Kosova nuk e ka luksin t’i refuzojë klubet.

 “Kemi organizuar këtë ndeshje dhe do të jetë shumë e mirëseardhur edhe pse është një kohë e papërshtatshme se disa janë në pushime por nuk kemi mundur me e refuzu këtë ndeshje. Tashti jemi duke punuar rreth grumbullimit se cilët lojtarë do të na bashkohen”, tha Sahiti.

“E para nuk është datë e UEFA-së dhe vështirë është të grumbullohen lojtarët e grupit A, por jemi duke biseduar me disa lojtarë që i kemi në shtetet skandinave dhe këto ditë po presim se cili lojtar do të na bashkohet nga jashtë”.

 “Ne kemi vëzhguar edhe Superligën e Kosovës dhe kemi thënë gjithmonë që Kombëtarja i ka dyert e hapura për të gjithë futbollistët. Kontaktet i kemi edhe me Herolind Shalën që të shohim ku është pas lëndimit”.

“Zyrtare do të jetë nga 8 janari në Katar dhe do ta shohim mundësinë a mund t’i ftojmë lojtarët. Çdo ndeshje miqësore është e rëndësishme dhe gjithmonë përvoja përfitohet kur ke eksperienca me skuadra të forta”, përfundoi Sahiti.