15:37 / E Mërkurë, 07 Mars 2018 / indeksADMonline

Kosova prezanton potencialet turistike në Berlin

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka organizuar paraqitjen shtetërore në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “ITB Berlin”, që po mbahet në Berlin të Gjermanisë.

Në këtë paraqitje shtetërore me brendin e njohur globalisht “Kosovo Ready For You”, pesë operatorë turistikë kosovarë po prezantojnë potencialet turistike të Kosovës. Shtandi i Kosovës po vizitohet nga vizitorë të vendeve të ndryshme të cilët për së afërmi po informohen me atë çka ofron vendi ynë si në kuadër të atraksioneve turistike ashtu edhe në aspektin kulturor e historik.

Përfaqësuesit e KIESA, me tour operatorët dhe agjencitë turistike: “Alb Tours”, “Altavia Travel”, “Eurokoha”, “Kosovo Holidays DMC” dhe “OutDoor Kosovo”, po japin informacione dhe materiale turistike promovuese për vizitorët, si dhe po prezantojnë mundësitë që i ofron Kosova në përgjithësi në fushën e turizmit si: vizita në vende me trashëgimi kulturore dhe historike, aktivitete të ndryshme në natyrë, ecje, çiklizëm, guida turistike etj.

Në këtë panair, Kosova prezantohet në mesin e 180 vendeve pjesëmarrëse, që vizitohet mesatarisht nga 160 mijë vizitorë. Ky panair është një ndër pikëtakimet më të rëndësishme për tur-operatorët, pasi aty mund të krijojnë bashkëpunim me partnerët e huaj njëherësh të njihen edhe me trendin e industrisë ndërkombëtare të turizmit. Pjesëmarrja e operatorëve turistikë nga Kosova është organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA). Panairi “ITB Berlin 2018” është i hapur nga data 07 – 11 mars 2018. Shtandin e Kosovës mund ta vizitoni në Hall 1.2 / 211.