11:13 / E Mërkurë, 07 Shkurt 2024 / MSH

Kosova pritet të jetë pjesë e programit “Evropa digjitale”

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky program do të ndihmojë transformimin digjital dhe rritjen e përdorimit të teknologjive digjitale për bizneset dhe qytetarët në Kosovë.

“Ky program ka për qëllim riqasjen e digjitalizimit dhe përmes pjesëmarrjes në këtë program do të forcohet dhe zhvillohet edhe më tej bashkëpunimi  ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës. Ky program përtej ndikimit në digjitalizim, synon t’i ofroj shtetet e Ballkanit Perëndimor me ekonominë dhe shoqërinë e BE-së, duke mbështetur digjitalizimin në përgjithësi. Kjo marrëveshje sipas procedurës protokollare është nënshkruar nga komision evropian”, u shpreh Rizvanolli.

Megjithatë, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, pyeti ministren se pjesëmarrja në këtë program a do të ndikohet nga masat ndëshkuese që Kosova ka nga Bashkimi Evropian.

Por, ministrja Rizvanolli tha se e njëjta është nënshkruar brenda periudhës që i janë vendosur masat ndëshkuese Kosovës dhe se nuk pret që të ketë ndikim në aplikimet në këtë program.

E detaje shtesë kërkoi edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni. Ai pyeti nëse   

“Ne si vend mund të aplikojmë që ne potencialisht jemi në qendër digjitale më intereson, ne tani kemi një park inovacionit në Vermicë të Prizrenit dhe parkun teknologjik në Vermicë që e kemi inauguruar së fundi, a mendoni që parku në Prizren dhe Vermicë kanë mundësi t’i plotësojnë kriteret të jenë si klasifikuara si qendra digjitale në Kosovë konfirm kësaj marrëveshje”, u shpreh Hyseni.

Ndërsa ministrja Rizvanolli deklaroi se buxheti nuk është i ndarë sipas shteteve por aplikohet në bazë të thirrjeve.

“Aplikimi për qendra digjitale është një pjesë e këtij komponenti i këtij programi dhe ne presim që disa prej qendra tona t’i plotësojnë kushtet. Tani më qendra në Prizren ka aplikuar, ndërsa Vermica ende. Sa i përket kohës së bashkëngjitjes në këtë program, programi në BE ka filluar më herët ndërsa vendet e rajonit janë bashkangjitur tani vonë. Buxheti nuk është i ndarë sipas shteteve por aplikohet në bazë të thirrjeve”, tha ministrja.

Në fund, deputetët kërkuan që kjo marrëveshje t’i propozohet nesër seancës plenare për miratim në lexim të parë.