Kosova së shpejti me raportim për cilësinë e ajrit në kohë reale, nga 12 stacione monitoruese

U mbajt konferenca e parë me vendimmarrësit për cilësinë e ajrit, organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) dhe Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK). Mbledhja e të gjithë aktorëve kryesorë u bë me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit më të mirë për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend. Me këtë rast, u prezantuan elementet e fushatës përmes së cilave qytetarët do të kenë mundësi që rregullisht të kontrollojnë cilësinë e ajrit, si edhe të jenë në gjendje të marrin vendime në bazë të këtyre informacioneve të cilat do të jenë aktuale dhe të sakta, të siguruara nga 12 stacione për monitorimin e ajrit në tërë Kosovën.
Projekti për cilësinë e ajrit do të sigurojë që të gjithë kosovarët të kenë qasje në informacione të sakta dhe të besueshme për cilësinë e ajrit, të cilat mund të përdoren për përmirësimin e shëndetit dhe zvogëlimin e ndotjes.
Fushata mbarëkombëtare për vetëdijesim për cilësinë e ajrit është planifikuar të fillojë në fund të muajit nëntor, në Kosovë, me qëllim që të informojë publikun në lidhje me rreziqet ndaj shëndetit të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që duhet t’i marrin për ta mbrojtur veten, kështu duke ndryshuar shprehitë e tyre dhe duke bërë përpjekje për të zvogëluar nivelin e ndotjes, veçanërisht gjatë stinës së dimrit.
“Projekti për cilësinë e ajrit është një nga investimet tona konkrete për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe modern të të dhënave, për të rritur transparencën e institucioneve dhe komunikimin me publikun. Bashkëpunimi i ngushtë me IKSHPK-në dhe IHMK-në po luan rol të rëndësishëm në arritjen e këtij qëllimi”, u shpreh gjatë fjalës hyrëse në konferencë Petrit Selimi, drejtor ekzekutiv i MFK-së.
Sarah Olmstead, drejtoreshë e MCC-së për Kosovën, e veçoi këtë projekt nga të tjerët duke u shprehur: “Ky është ndër projektet që më pëlqen më së shumti, jo vetëm që ndërlidhet me projektet e tjera të energjisë, por edhe për faktin që u mundëson qytetarëve të kenë kontroll mbi nivelin e cilësisë së ajrit dhe të marrin vendime në përputhje me rrethanat.”
Portali për cilësinë e ajrit, aplikacioni mobil dhe nen faqja e CA në ueb-faqen e IKSHPK-së janë disa nga mjetet interaktive, të zhvilluara nga projekti për cilësinë e ajrit, të cilat do t’i vihen në dispozicion të publikut në masë të madhe, duke iu mundësuar atyre kontrollimin e niveleve të ndotjes së ajrit.
Dr. Antigona Ukëhaxhaj, e vlerësoi lartë mbështetjen që MFK-ja po i ofron IKSHPK-së në kohën kur Kosova po përballet me cilësi shumë të dobët të ajrit. “Përmirësimi i qasjes së qytetarëve në informacione të fushës së mjedisit është tejet e rëndësishme në rritjen e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, si edhe në cilësinë dhe zbatimin e tyre.
Kurse Letafete Latifi, drejtoreshë e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) vlerësoi përfitimin që u sjell Projekti për cilësinë e ajrit qytetarëve të Kosovës.
“Projektet e tilla sjellin afër njëri-tjetrit të gjithë komponentët për të ndihmuar në trajtimin e ndotjes së ajrit dhe përfitues te këtyre aktiviteteve nuk jemi vetëm në institucionet e Kosovës nëpërmjet përmirësimit të performancës së punës sonë, por janë të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë përfitojnë nga ҫdo hap pozitiv i ndërmarrë në këtë drejtim.”
Aktorët u dakorduan të jenë në koordinim të plotë në realizimin e aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit, duke bërë të merren masa konkrete si nga institucionet, ashtu edhe nga vetë qytetarët. Ndër të tjera, do të angazhohen në promovimin e fushatës, përmes së cilës do të promovohen produkte që do të kontribuojnë në krijimin e një sistemi të besueshëm të informatave mbi ajrin në Kosovë, kështu duke u mundësuar qytetarëve të kuptojnë më mirë dëmet shëndetësore që shkakton ndotja e ajrit, si edhe masat që ata duhet t’i marrin për të ndryshuar shprehitë e tyre në mënyrë që të zvogëlojnë nivelin e ndotjes së ajrit në vend.
Kjo fushatë është njëra nga aktivitetet kryesore brenda fushëveprimit të projektit “Furnizimi i menaxhimit të projektit, Menaxhimit të informacioneve për cilësinë e ajrit, Ndryshimin e sjelljes dhe shërbimet e komunikimit”, mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC) dhe MFK-ja, implementuar nga NIRAS. MFK-ja mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) dhe Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) në mbledhjen dhe shpërndarjen e informacioneve për cilësinë e ajrit. Me emrin “CILËSIA E AJRIT”, projekti ka për qëllim përmirësimin e disponueshmërisë publike dhe përdorimin analitik të të dhënave mjedisore nga bizneset, Qeveria, shoqëria civile dhe OJQ-të, duke promovuar në këtë mënyrë vendimmarrjen e nxitur nga të dhënat.