75 Mall Live Search
23:57 / E Mërkurë, 02 Mars 2022 / SH F

Kosova shënon çmime rekorde të naftës, pak para mesnatës

Çmimi i derivateve ka vazhduar të rritet në Kosovë.

Rekordi në çmime tashmë është arritur.

Pak para mesnatës çmimet në disa pika shitës janë regjistruar nga 1.44 centë deri në 1.55 centë për naftë dhe benzinë.

Çmimi i derivateve ka nisur të rritet që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale tregtare me shumicë dhe pakicë. Këtë vendim Qeveria thotë se e ka marrë për mbrojtjen e konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve.

Mirëpo, Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, kanë dalë kundër vendimit të Qeverisë.

“Sa i përket vendimit të qeverisë unë si kryetari shoqatës së naftëtarëve nuk kam pas takim lidhur me këtë, pa marrë parasysh se e kemi pasur takimin me ministren e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë. Lidhur me këtë vendim, unë kam dëgjuar mbrëmë prej kolegëve të mi të cilët thanë se është vendim që i cili i dëmton bizneseve tona. Këtë vendim në emër të shoqatës së naftëtarëve e kundërshtoj”.

Sipas vendimit të Qeverisë obligohen gjitha deponitë e pikat e shitjes së naftës të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 për qind të kapaciteteve të tyre deponuese për qëllimeve të rezervave emergjent

Masat e vendosura janë:

1.1. Te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes;

1.2. Te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes.

Përmes këtij vendimi, Qeveria e Kosovës ka obliguar të gjitha deponitë dhe pikat shitëse të naftës dhe derivateve të naftës, të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 % të kapaciteteve të tyre deponuese, për qëllime të rezervave emergjente.

Gjithashtu vendimi e obligon Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Inspektorati i Tregut Qendror dhe Lokal, Administrata Tatimore e Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe organet e tjera të administratës shtetërore, për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij vendimi.

Ky vendim do të jetë fuqi që nga sot (2 mars) deri më 31 maj të këtij viti.

Kërkesat e Shoqatës së naftëtarëve:

  1. Të pezullohet vendimi nga Qeveria
  2. Kushtetutshmëria se a janë përmbushur kushtet ligjore nga neni 11 në të cilën thirret vendimi.
  3. Mbi çfarë studimi është bërë përcaktimi i 6 për qind
  4. Shoqata është e gatshme të japë kontributin për të hartuar një vendim të ri në të mirë të konsumatorëve dhe shoqatës.
  5. Nëse nuk pezullohet vendimi do të shqyrtohet mundësia për pezullim të aktivitetit për periudhë 90 ditore.

Këto kërkesa do t’ia paraqesin Ministres së Tregtisë dhe Industrisë në takimin që do të mbahet në ora 14:30. /IndeksOnline/