75 Mall Live Search
08:58 / E Enjte, 25 Tetor 2018 / indeksADMonline

Kosova shihet si jo e gatshme për mësimdhënës të profilizuar

Edhe pse ishte planifikuar që të nisë këtë vit, Ministria e Arsimit nuk do të fillojë me profilizimin e mësimdhënësve klasorë nga klasa e parë deri të pestën.

Pas debatit të organizuar me njohës të kësaj fushe, grupi punues ka vlerësuar se Kosova ende nuk është e gatshme për diçka të tillë. Iniciativa synonte që mësimdhënësi të mos e përcjellë një gjeneratë në pesë vjetët e parë të shkollimit, por që secili mësues të jetë i profilizuar për një klasë të caktuar.

Ministria e Arsimit ka hequr dorë nga procesi i profilizimit të mësimdhënësve prej klasës së parë deri në të pestën, edhe pse vetë ajo kishte planifikuar që këtë të nisë nga ky vit shkollor.

Këshilltari në Ministrinë e Arsimit, Valmir Gashi, i tha Radio Kosovës se pas përfundimit të debatit në mes të drejtorëve dhe mësimdhënësve, është rekomanduar që mos të fillohet me profilizim klasor por në të ardhmen të bëhet profilizimi lëndor.

“Pasi që kanë përfunduar të gjitha debatet, konkluzionet dhe rekomandimet që kanë dalë nga ky debat në lidhje me politikën fillestare, nuk është shprehur ndonjë vullnet për të filluar aplikimi i këtij profilizimi. Nga këto debate ka lindur ideja që profilizimi të jetë lëndor” ka thënë Gashi.

Gashi theksoi po ashtu se në të ardhmen do të bashkëpunojnë me Fakultetin e Edukimit, që fakulteti të përgatisë kuadro, në mënyrë që profilizimi kur të ndodhë të jetë me lehtë i zbatueshëm.

“Ka mbetur që në të ardhmen të bashkëpunojmë me Fakultetin e Edukimit, fillimisht fakulteti të nxjerrë kuadro të kualifikuar që në të ardhmen cilido profilizim të ndodhë të jetë më lehtë i zbatueshëm” tha Gashi.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës se Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën se sindikata në fillim e ka kundërshtuar profilizimin klasor dhe ka rekomanduar ministrinë që profilizimi të jetë lëndor.

“SBASHK-u, që vetë janë arsimtarë, e di më mirë se çfarë mund të shkojë më mirë në arsim. Ne kemi qenë kategorikë kundër kësaj që të mos bëhet dhe ndjehemi mirë që kjo dështoi, ngase është e tmerrshme që për pesë vite nxënësve t’u ndërrohen pesë mësues. Ne jemi që mësimdhënësit të profilizohen në ato lëndë që janë më të përgatitur, pra, të kemi profilizim lëndor” ka thënë Jasharaj.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, muaj më parë ka organizuar debat publik me temën ”Profilizimi i mësimdhënësve nga klasa I-V” , ku pjesëmarrës kanë qenë zyrtarë të MASHT-it, drejtorë të drejtorive komunale të Arsimit, përgjegjës të Fakultetit të Edukimit dhe ekspertë të arsimit.