Kosova si destinacion filmik, ministri Çeku në një takim me producentë ndërkombëtarë
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me drejtoreshën e Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), Blerta Zeqiri, kanë pritur në takim një grup producentësh ndërkombëtarë, të cilët po shqyrtojnë rajonin e Ballkanit si destinacion për xhirimet e projekteve të tyre të ardhshme filmike.
Gjatë takimit, ministri Çeku i ka informuar producentët për politikat e Kosovës në fushën e kinematografisë, duke përfshirë Ligjin e ri të kinematografisë, skemën e rabatit, lehtësitë institucionale për prodhimet ndërkombëtare, si dhe potencialin e madh që vendi ynë ofron për xhirime filmike.
Vizita e producentëve në Kosovë ka përfshirë gjithashtu takime rrjetëzimi me profesionistë vendorë, me qëllim krijimin e kontakteve dhe bashkëpunimeve konkrete ndërmjet industrisë filmike vendore dhe asaj ndërkombëtare, duke hapur kështu mundësi të reja për zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e kinematografisë kosovare./Indeksonline/

