14:59 / E Martë, 24 Korrik 2018 / indeksADMonline

Kosova thellon bashkëpunimin me Italinë për siguri dhe mbrojtje (Foto)

Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani ka zhvilluar një takim me ministrin italian të Mbrojtjes, Raffaele Volpi me të cilin kanë diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Po ashtu, Ramadani ka theksuar se kanë biseduar edhe për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe për gatishmërinë e Kosovës që të dërgojë trupat e FSK-së për ndihmë të popujve tjerë në zona të ndryshme të krizave në botë.

Më poshtë gjeni njoftimin e tij të plotë:

Thellojmë bashkëpunimin me Italinë për siguri dhe mbrojtje

Një takim i shkëlqyeshëm sot në Romë me Zëvendës Ministrin italian të Mbrojtjes, z. Raffaele Volpi.

Diskutuam për objektivat e Kosovës për anëtarësim në NATO, thellimin e bashkëpunimit bilateral me Italinë, për arritjet e FSK-së, planin gjithëpërfshirës për transicionin e FSK-së në ushtri, sikurse edhe për gatishmërinë e Kosovës që të dërgojë trupat e FSK-së në ndihmë të popujve në zona të ndryshme të krizave nëpër botë.

Gjatë vizitës në Romë, bashkë me Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe kolonelin Jeton Dreshaj jemi pritur në nivel të lartë të Qeverisë Italiane dhe në Forcat e Armatosura të Italisë.

Jemi takuar sot edhe me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor dhe Drejtorin për NATO në Ministrinë e Jashtme të Italisë. Me zyrtarët e MPJ-së diskutuam për marrëdhëniet e Kosovës me Italinë dhe me NATO-n.

Dje, (e hënë, më 23 korrik) jemi pritur nga Nën-Admirali Dragone, Komandant i Shtabit të Përbashkët Italian të Operacioneve.

Me Nën-Admiralin Dragone diskutuam thellimin e angazhimeve të përbashkëta mes Kosovës dhe Italisë në fushën e mbrojtjes dhe për gatishmërinë e Kosovës për të marrë pjesë në Operacione Paqeruajtëse nëpër botë, krahas Forcave të Armatosura Italiane.