Kosova U19 e fton talentin e Besës së Pejës, llogaritet me të ardhme të madhe në futboll

Kombëtarja U19 e Kosovës nesër (më 16 qershor) udhëton për në Shqipëri, me ç’rast do të zhvillojë dy ndeshje miqësore, njërën më 16 dhe tjetrën më 18 qershor.
Përballjet me Kombëtaren kuqezi U19 vijnë në kuadër të parapërgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian 2022, e të cilat do të zhvillohen në muajin tetor.
Në rrethin e parë kualifikues Kosova U19 do të përballet me Norvegjinë, Gjeorgjinë dhe Uellsin.

Përzgjedhësi Ramiz Krasniqi ka publikuar listën e lojtarëve me të cilët do të paraqitet në dy ndeshjet kundër Kombëtares së Shqipërisë në “Elbasan Arena”, e ku janë përfshirë 23 futbollistë.
Në mesin e të ftuarve është edhe talenti i Besës së Pejës, Blerjon Avdimetaj. 17 vjeçari kosovar më parë ishte përfaqësues i Kosovës U17, ndërsa për herë të parë do të luaj me grupmosha më të mëdha.

Fiziku i jashtëzakonshëm i tij si dhe cilësitë e veçanta që ka e bëjnë atë si një nga lojtarët premtues në futbollin kosovar.
Avdimetaj ka qenë pjesë e skuadrës A&N, ndërsa tani pjesë e Besës së Pejës./Indeksonline/
