Kosova U20 kualifikohet në çerekfinale të Evropianit në basketboll

Kosova U20 në basketboll ka arritur sukses, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Evropian, Divizioni B.
Dardanët e rinj në një ndeshje dramatike kanë mposhtur Hungarinë me rezultat 78:73.
Kosova e ka nisur ndeshjen më mirë, me një seri mbresëlënëse prej 19:2, duke përfunduar çerekun e parë me epërsi 25:17.
Hungarezët kanë reaguar në periodën e dytë, duke fituar atë pjesë 16:21, por Dardanët kanë shkuar në pushim me rezultat të favorshëm 41:38.
Pjesa e dytë ka filluar përsëri në mënyrë të mirë për Kosovën, që në çerekun e tretë ka arritur të shkëputet deri në 54:38 dhe e ka mbyllur këtë pjesë me rezultat 60:47. Megjithatë, në periodën e fundit është zhvilluar një dramë e vërtetë: pesë minuta para fundit, Kosova ka qenë në avantazh 73:56, por një seri prej pesëmbëdhjetë pikësh radhazi nga Hungaria e ka ngushtuar rezultatin në 73:71. Në momentet vendimtare, Dardanët kanë treguar karakter, duke ruajtur epërsinë dhe duke triumfuar 78:73.
Te Kosova më i miri ka qenë Erolt Rrahmani me njëzet e një pikë dhe njëmbëdhjetë kërcime, ndërsa Jon Ismajli dhe Hadis Durguti kanë kontribuar me nga shtatëmbëdhjetë pikë secili, kurse Rron Dahsyla ka shënuar pesëmbëdhjetë pikë.
Kjo është fitorja e tretë radhazi për Kosovën në këtë Evropian, pas sukseseve ndaj Suedisë dhe Shqipërisë.
Dardanët e rinj do të përballen nesër me Turqinë për vendin e parë në Grupin D, me të dyja ekipet që kanë nga tri fitore në tri ndeshje.
Ky kampionat po mbahet në Yerevan të Armenisë.