Kosova U20 realizon fitore bindëse ndaj Katarit U20
Kombëtarja e Kosovës U20 ka shënuar fitore bindëse në miqësoren e parë ndaj Katarit U20, me rezultat 5:1, në ndeshjen e zhvilluar të dielën në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Ky takim u organizua në kuadër të programit “UEFA Together”, që synon zhvillimin dhe shkëmbimin e përvojave mes kombëtareve të vendeve anëtare të UEFA-s me ato nga kontinentet e tjera.
Dardanët e rinj, të drejtuar nga përzgjedhësi Bekim Isufi, e nisën ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer, duke dominuar në të gjitha aspektet e lojës. Epërsia erdhi shumë herët, në minutën e 3-të, kur Ernis Qestaj realizoi golin e parë pas një aksioni të bukur. Në minutën e 27-të, Rin Ahmeti e dyfishoi rezultatin nga penalltia, pasi Rezon Gashi u ndal në mënyrë të parregullt brenda zonës. Vetëm dy minuta më pas, Qestaj shënoi sërish, duke e çuar rezultatin në 3:0.
Katari arriti të ngushtojë shifrat në 3:1 përmes Mohamed Moatasim A Elsiddig, nga pika e bardhë, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, pas disa ndërrimeve në formacion, Dardanët vazhduan ta menaxhojnë me maturi ndeshjen dhe ta kontrollojnë lojën, ndërsa në minutat shtesë shënuan edhe dy herë për ta vulosur fitoren. Enes Hajrullahu realizoi në minutën e 92-të një gol të bukur, ndërsa Anik Vitia në minutën e 94-të vendosi rezultatin përfundimtar 5:1.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi Bekim Isufi u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit dhe me angazhimin e futbollistëve:
“Vetë rezultati 5:1 tregon se kemi dominuar plotësisht kundërshtarin. Nuk kemi pasur shumë ditë për t’u përgatitur, por gjithçka shkoi shumë mirë. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve dhe me mënyrën se si i zbatuan detyrat në fushë. Sigurisht se gjithmonë ka hapësirë për përmirësim, por duke marrë parasysh që shumë prej lojtarëve janë për herë të parë bashkë dhe nuk e njihnim mirë kundërshtarin, jemi shumë të kënaqur me këtë paraqitje. Shpresoj që edhe në ndeshjen e dytë të tregojmë lojë të mirë”, deklaroi Isufi.
Ndeshja e dytë miqësore mes Kosovës U20 dhe Katarit U20 do të zhvillohet pas tre ditësh, po në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, me fillim në orën 13:00.

