17:26 / E Martë, 12 Nëntor 2019

Kosova vendtakim i Ministrave të Bujqësisë së Evropës Juglindore

Kosova e ka marrë presidencën e Grupit Rajonal për Zhvillimin Rural në Evropën Juglindore(SWG), për një periudhë një vjeçare. Presidenca për kryesimin e këtij grupi, i është dorëzuar sot nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, gjatë takimit të trembëdhjetë të SWG-së, i cili sivjet po mbahet për herë të dytë në Prishtinë.

Gjatë këtij takimi, ku kanë marrë pjesë ministra dhe përfaqësues të shteteve të Evropës Juglindore, në mesin e tyre edhe Kosova, është diskutuar për zhvillimet e fundit në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural në rajon, për përgatitjet rreth zbatimit të IPARD-it dhe reformat e Politikës së Përbashkët Bujqësore 2021-2027.

Ministrja në detyrë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq, gjatë takimit ka theksuar rëndësinë e madhe të platformës së SWG-së, që sipas saj, është një shembull i mirë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërshtetërore.

“Zhvillimi i mëtejmë i sektorit të bujqësisë vazhdon të jetë njëri prej prioriteteve tona strategjike dhe me politikat tona strategjike ndërsektoriale dhe në harmoni të plotë me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të BE-së, jemi të orientuar në rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe në krijimin e kushteve sa më të favorshme për prodhuesit, në mënyrë që të arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe t’ju bashkangjitemi trendëve zhvillimore të vendeve të BE-së”, ka thënë ministrja Zhiviq.

Ajo po ashtu theksoi se do të angazhohen që gjatë presidencës së Grupit Drejtues të Punës për Zhvillim Rural dhe Rajonal në Evropën Juglindore që të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin rajonal brenda këtij grupi, me qëllim të avancimit të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Gjatë këtij takimi, ministrat dhe udhëheqësit e delegacioneve të vendeve të Evropës Juglindore u njoftuan edhe për hapat që BE-ja është duke ndërmarrë për Politikat e Përbashkëta Bujqësore (PPB) dhe Politikat për Zhvillimin Rural (PZHR).

Udhëheqësi i Drejtorisë së Përgjithshme për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komisionin Evropian,  Mario Milouchev, gjatë prezantimit të këtyre politikave, tha se në rrugën drejt bashkimit, organizatat si SWG janë një mundësi shumë e mirë për të koordinuar formimin e politikave bujqësore dhe rurale në rajon.

“Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për suksesin tuaj. Duke pasur parasysh që administratat tuaja janë të vogla e bëjnë më të vështirë përballimin e të gjitha ndërlikimeve të politikave të BE-së, por, në këtë rrugë bashkëpunimi, vizitat studimore dhe shkëmbimi i praktikave më të mira mund të ndihmojnë shumë në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit e delegacioneve të shteteve të Evropës Juglindore, të cilët kanë diskutuar rreth formave të bashkëpunimit dhe reformave në Politikën e Përbashkët Bujqësore, sonte do të mbajnë edhe takime bilaterale me ministren Zhiviq, me ç’rast do të diskutojnë edhe për forma të tjera të bashkëpunimit ndërshtetëror me Kosovën.