Kosova vlerësohet se është më keq se para 20 vjetësh në arsim

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se për Kosovën është e nevojshme të dihet se çfarë po ndikon në rënien cilësisë në arsim, raporton Ekonomia Online.
Ai këto komente i bëri në tryezën e mbajtur sot “ndërtimi i së ardhmes së arsimit në Kosovë- mësime nga PISA” e organizuar nga German School of Kosova, Leadership Foundation dhe Schule Expert.
“Shoh numrat e studentëve që shkojnë në universitete, por po shoh se në universitete publike numri po bie dhe në universitetet private po rritet”, ka thënë Rohde.
Gjendja në arsim u cilësua e dobët edhe nga hartuesi i PISA-s dhe drejtor për arsim dhe shkathtësi në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Andreas Shcleicher.
Madje, ai tha se gjendja në këtë sektor është më keq se para 20 vitesh.
“Sot po ia dalim më keq se para 20 vjetësh. Deri diku ka të bëjë me pandeminë Covid-19, por nuk është i vetmi problem. Sistemi shkollor ka rrugë të gjatë për të përmirësuar rezultatet arsimore”, tha ai.
Shcleicher theksoi se mungojnë trajnimet, materialet, burimet, resurset , por stafi sipas tij është më i rëndësishmi, si dhe teknologjia.
Shqipe Kokollari nga MASHTI gjatë kësaj tryeze tha se Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës mban barrën për zhvillim profesional të mësimdhënësve.
“Për momentin Fakulteti i Edukimit është i angazhuar në një analizë për të gjithë mësimdhënësit që t’i merr përvojat e mësimdhënësve për zhvillim profesional të tyre. Tekstet shkollore kanë përmbajte me shumë sesa që duhet. Janë duke u trishtuar e me theks të veçantë në pjesën e shkencës”, ka theksuar ajo.