Kosovarët paraqesin 420 kërkesa për tu pajisur me armë
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) që nga 17 dhjetori i vitit të kaluar, ka nisur legalizimin e armëve pa lejë në Kosovë.
Për shkak të numrit të madh të tyre, ky proces pritet të përfundoj me 17 qershor të këtij viti. MPB në një përgjigje për Indeksonline ka bërë të ditur se që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, deri tani janë paraqitur 420 mostra për legalizim të armëve.
“Deri më tani janë paraqitur 420 mostra të dorëzuara për legalizim të armëve, por ka edhe kërkesa të tjera të paraqitura në kompanitë e licencuara dhe pritet që derisa t’i kryejnë testet dhe çështjet teknike, pastaj i dorëzojnë mostrat në MPB”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Ata kanë treguar se ka një interesim në rritje të qytetarëve për të legalizuar armët. “Siç jeni në dijeni, armë pa leje llogaritet të jenë në duar të qytetarëve rreth 250 000. Ne shpresojmë dhe besojmë se ky proces do të rezultojë i suksesshëm edhe duke parë interesimin në rritje të qytetarëve për t’i legalizuar armët”, thuhet tutje në përgjigjën e tyre.
Në anën tjetër, ligji për armët e përcakton se një person mund të pajiset me leje për armë nëse është i rrezikuar, si dhe nëse është pjesëtar i sigurimit apo punonjës i personave me rëndësi të veçantë për institucionet shtetërore.
Sipas ligjit, për të marr një leje për armëmbajtje duhet dy deri në tre muaj kohë. Pajisja me leje për armë kushton rreth 300 euro, pasi që rreth 250 euro kushton trajnimi për përdorim të armës, 50 euro çertifikata mjekësore dhe shpenzimet të tjera.
Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ka licencuar edhe disa kompani që merren me shitjen e armëve dhe kanë poligonin e qitjes, të cilat edhe japin trajnime për qitje me armë.
Statistikat e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se vetëm në vitin 2018 janë konfiskuar 1.171 armë dhe rreth 13 mijë copë municion.
E agjencitë e ndryshme ndërkombëtare në Kosovë kanë raportuar se në duart e qytetarëve të Kosovës janë më shumë se 200 mijë armë ilegale./Indeksonline/