08:21 / E Hënë, 13 Maj 2019 / indeksADMonline

Kosovarët që s’kanë kushte financiare, ligji u ofron ndihmë juridike falas

Bazuar në kriteret e parapara me ligj, të gjithë kosovarët kanë të drejtë për ndihmë juridike falas. Përveç Agjencionit për Ndihmë Juridike Falas, këtë e ofrojnë edhe disa qendra të tjera. Së fundmi, ndihmë juridike falas ka filluar të ofrojë edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë nevojë për drejtësi, por që në mungesë të mjeteve financiare kanë ndaluar së kërkuari drejtësi, të drejtat e tyre mund t’i realizojnë duke kërkuar ndihmë juridike falas.

Këtë të drejtë kushtetuese e ofron Agjencioni për Ndihmë Juridike Falas, por edhe disa qendra të tjera. Njëra nga to është edhe Qendra për Ndihmë Juridike Falas e Institutit të Kosovës për Drejtësi, e cila filloi punën këto ditë. Yll Zeka, koordinator i kësaj qendre, i tregoi Radio Kosovës se kë do të ndihmojnë me asistencë juridike.

“Qendra do të ofroj ndihmë juridike falas për grupet më të cënueshme të popullatës, të cilat në pa mundësi financiare për të paguar shërbimet juridike, nuk mund të realizojnë të drejtave tyre, në procedurën gjyqësore apo administrative. Ne, në qendrën për ndihmë juridike falas kemi 13 juristë, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve”, tha ai.

Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së, do të ofrojë ndihmë juridike falas në gjashtë fusha të ndryshme, të cilat sipas Yll Zekës, janë vlerësuar si më të rëndësishme dhe të nevojshme për t’u ndihmuar.

“Qendra do të ofroj ndihmë juridike për pensionistët, të cilët nuk kanë mundur të realizojnë pensionet nga fondi që është marrë nga Serbia. Do të ofrohet ndihmë për gratë në trashëgimi. Po ashtu, ndihmë do të ofrohet edhe për të burgosurit, komunitetet pakicë, refugjatët dhe azilkërkuesit. Pastaj për viktimat e dhunës në familje dhe asaj seksuale gjatë luftës, si dhe për sinjalizuesit”, tha Zeka.

Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së është hapur në kuadër të programit “Qasja në Drejtësi” dhe financiarisht mbështetet me fonde të Misionit të Kombeve të Bashkuara të OKB-së në Kosovë.

Ndihma Juridike falas është paraparë me Kushtetutë dhe ligj të veçantë. Bazuar në ligj, një shërbim të tillë është e obliguar të ofrojë Agjencioni për Ndihmë Juridike falas, që shtrihet në tërë vendin, nëpërmjet 5 zyrave rajonale.