Kosovarit 19 vjeçar i besohet shiriti i kapitenit te skuadra zvicerane

Në skuadrën e Luzernit në Zvicër është duke u rritur një futbollist shqiptar që ende pa i bërë 20 vjeç ka filluar të marrë përgjegjësi të madhe.
Ardon Jashari, futbollist i lindur në vitin 2002 po mban shiritin e kapitenit te skuadra e tij pas mungesës së kapitenit të parë, Christian Gentner, shkruan Indeksonline.

Trajneri Mario Frick po i beson shumë Jasharit, ku përvec që po e inkuadron si titullar të pazëvendësueshëm, ai tani i ka dhënë edhe përgjegjësi në fushë.
Futbollisti shqiptar luan në pozitën e mesfushorit qendror.
“Ju nuk mund ta parandaloni më karrierën e Ardonit. Ai është i lumtur pas zgjatjes së kontratës deri në vitin 2026 me shpresë edhe një vit tjetër në Luzern. Ai ka një mjedis shumë të mirë për këtë”, ka thënë trajneri për Jasharin. /IndeksOnline/
