75 Mall Live Search
14:49 / E Premte, 11 Tetor 2019 / indeksADMonline

Kosovë-Mali i Zi, statistikat dhe gjithçka tjetër që duhet të dini

Ndeshja shumë e rëndësishme e Kosovës ndaj Malit të Zi do të zhvillohet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Momentalisht, Kosova është e treta me 8 pikë, një më pak se Çekia dhe 4 më pak se Anglia, kombëtare të cilat e zhvillojnë sonte duelin mes tyre.

Me një fitore të “Dardanëve”, Kosova do të renditej në pozitën e dytë, gjithmonë nëse Çekia nuk e mposht Anglinë dhe do të ishte shumë më komod duke e pritur pastaj duelin për vendin e dytë ndaj Çekisë e që është bileta e fundit që dërgon në Kampionatin Evropian.

Forma e mirë e Kosovës ngjall shumë shpresa te tifozët kosovarë që t’a presin një biletë të një eventi madhor siç është Kampionati Evropian.

Kosova në 16 ndeshjet e fundit është mposhtur vetëm një herë (nga Anglia 5:3), duke siguruar 10 fitore dhe 5 humbje tjera.

Gjatë këtyre 16 ndeshjeve Kosova ka shënuar 34 gola dhe ka pranuar gjithsej 14, gjë që tregon se Kosova nuk e ka problem të shënojë e që e dëshmoi edhe ndaj fuqisë botërore, Anglisë të cilës ia shënoi 3 gola.

Në anën tjetër, Mali i Zi gjendet në pozitën e 4-të me 2 pikë, megjithatë malazezët mbesin prapëseprapë një kombëtare e rrezikshme.

Forma e tyre prej vitit 2018 dëshmon se kjo formë nuk është thjeshtë rastësore.

Nga 15 ndeshjet e zhvilluara qysh nga viti 2018 Mali i Zi ka siguruar vetëm 3 fitore ndërsa ka regjistruar edhe 5 barazime dhe 7 humbje. Seri kjo aspak e ngjashme me atë të Kosovës.

Në vitin 2019 malazezët kanë shënuar vetëm një fitore, atë ndaj Hungarisë në miqësore.

Në 6 ndeshjet e vitit 2019 Mali i Zi ka shënuar 5 gola ndërsa ka pranuar 14 gola, që i bie mbi 2 gola për ndeshje.

Edhe pse matematikisht ende ka gjasa për Malin e Zi të kualifikohet, atij do t’i duhet të fitojë ndeshjet e mbetura ndaj Bullgarisë, Kosovës dhe Anglisë dhe të shpresojë që Kosova dhe  Çekia të mos fitojnë pikë.

Edhe nëse Kosova dështon të kualifikohet përmes fazës kualifikuese, “Dardanët” do ta kenë edhe një mundësi përmes Ligës së Kombeve ku e kanë fituar grupin dhe presin gjysmëfinalet në fillim të vitit 2020./Indeksonline/