Kosovë–SHBA: Reflektim politik nga vizita në Washington
Shkruan Besnik Tahiri
Vizita disa-ditore në Washington konfirmoi edhe një herë rëndësinë strategjike të marrëdhënieve Kosovë–SHBA. Ajo që del qartë nga kjo vizitë është mesazhi thelbësor se çdo partneritet, e veçanërisht ai strategjik, kërkon qartësi politike, angazhim të vazhdueshëm, dhe koordinim më të fortë.
Kur flasim për qartësi, nuk duhet harruar se SHBA projektojnë partneritete afatgjata dhe të qëndrueshme, gjë që kërkon më shumë vizion, koherencë dhe besueshmëri institucionale nga ana jonë.
– Prioritetet e SHBA-ve
Administrata e Presidentit Trump është e fokusuar fuqishëm në sigurinë e brendshme dhe zhvillimin e hovshëm ekonomik. Vëmendja e tyre strategjike globale po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt hemisferës së Indo-Paqësorit.
Në këtë kontekst, SHBA janë duke afirmuar pritshmëri më të larta dhe po kërkojnë më shumë përgjegjësi nga aleatët perendimor, veçanërisht nga NATO dhe Bashkimi Evropian, përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mesazhi është i qartë: prioritetet kanë ndryshuar, më nuk është fokusi vetëm në Evropë, priotitetet strategjike kanë evoluar.
– Kosova dhe SHBA, partneritet i fuqishëm, por jo i vetë-mjaftueshëm
Kosova mbetet aleate e afërt e SHBA-ve, por ky partneritet nuk duhet të merret as si i vetë-mjaftueshëm, e as si i mirëqenë.
Kjo aleancë kërkon diplomaci shumë më aktive, argumente më të qarta dhe komunikim të hapur e të sinqertë. Në rrethanat aktuale, ky partneritet duhet të fokusohet në shtyrjen përpara të objektivit strategjik të Kosovës: anëtarësimin në NATO.
Në të njëjtën kohë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për pritshmëritë e lidershipit amerikan ndaj rolit tonë, sado modest të jetë ai, dhe të veprojmë në mënyrë të përgjegjshme dhe të parashikueshme.
– Roli i Kongresit dhe dialogu me Serbinë
Angazhimi i shtetit të Kosovës me Kongresin amerikan është thelbësor. Miqtë e Kosovës në Kongres duhet të pajisen me informacion, argumente të qarta dhe evidencë konkrete nga Kosova, përfshirë edhe çështjen e Luginës së Preshevës. Dialogu me Serbinë duhet të udhëhiqet nga agjenda dhe lidershipi i SHBA-ve, përndryshe do të dështojë. Është me rëndësi të nxirret në pah kontrasti i kërkesave që Serbia artikulon në arenën ndërkombëtare dhe realitetit që ajo ofron brenda kufijve të saj.
– Ballafaqimi me narrativat negative
Serbia dhe Republika Srpska vazhdojnë të investojnë në narrativa që synojnë të dëmtojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Këto narrativa duhet të identifikohen, sfidohen dhe kundërshtohen në mënyrë konsistente përmes politikave të sakta shtetërore, informacioneve përmbajtësore, veprimeve mirë të koordinuara dhe strategjike.
– Interesat strategjike dhe ekonomike
Kosova duhet të këtë ofertë të bashkëpunimit ekonomik më SHBA.
Bashkëpunimi në fusha si në energji, gazi LNG dhe rritja e investimeve amerikane në Kosovë përbëjnë elementë kyç për një partneritet më të qëndrueshëm dhe më të balancuar, duke lidhur interesat politike me ato ekonomike dhe strategjike.
Duhet të kemi ofertë konkrete bikaterale, të jemi proaktiv dhe jo si në 4 vitet e fundit.
– Roli i diasporës shqiptaro-amerikane
Diaspora shqiptaro-amerikane mbetet një nga asetet më të mëdha strategjike të Kosovës. Ajo ka nevojë për mbështetje konkrete, jo me fjalë të bukura por me vepra. Ajo ka nevojë ugjente për orientim më të qartë, mesazh të unifikuar dhe koordinim më të strukturuar me shtetin dhe institucionet e Kosovës.
Përfundim
Nga kjo vizitë dëshmohet qartë se Kosova ka një dritare reale mundësie për të avancuar interesat e saj strategjike. Shfrytëzimi i kësaj mundësie kërkon më shumë disiplinë, koordinim dhe vizion të qartë, sidomos në raport me SHBA-të, Kongresin dhe aleatët tanë kryesorë.Shkurt dhe shqip, SHBA mbeten aleati kryesor i Kosovës, por nuk është i mirëqenë. Partneriteti
–
kërkon proaktivitet, qartësi dhe veprim. Momenti për të shtyrë përpara anëtarësimin në NATO është tani.

