20:42 / E Premte, 26 Janar 2024 / MSH

KOSTT dhe MCA-Kosovë nënshkruajnë Marrëveshjen për instalimin e sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT, Evetar Zeqiri dhe kryeshefja ekzekutive e MCA-Kosovë, Florina Duli Sefaj nënshkruan Marrëveshjen me subjektin zbatues të Programit “Kompakt” për instalimin e sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS).

“Ky moment historik është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndër vite në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) e cila në kuadër të programit Kompakt, synon instalimin e sistemit te ruajtjes se energjisë nëpërmjet baterive me kapacitet prej 170 MW (apo 340 MWh), me një vlerë totale prej 180 milion $, ndërsa KOSTT pritet që të përfitojë nga ky projekt bateri me kapacitetit prej 45 MW (apo 90 MWh), në vlerë prej rreth 46.2 milione dollarë” thuhet në njoftim.

Me zbatimin e kësaj marrëveshje, KOSTT merr përsipër përgjegjësinë për të mbështetur MCA-Kosovë për implementimin e projektit, e cila përfshin plotësimin e kushteve pararendëse, përgatitjen gjatë projektimit, si dhe mbikëqyrjen gjatë fazës së ndërtimit, komisionimit dhe energjizimit të projektit të BESS.

Me këtë rast, Zeqiri ka shprehur falënderim ndaj Qeverisë së Kosovës, popullit zemërgjerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe MCC për mbështetjen e tyre, duke theksuar zotimin për përfundimin e projektit në mënyrë të përsosur.

‘’Falënderojmë Qeverinë e Kosovës , Shtetet e Bashkuara të Amerikës 🇺🇸 dhe MCC për mbështetjen e tyre në këtë projekt. Ky hap i rëndësishëm drejt tranzicionit energjetik kontribuon dukshëm në rritjen e aftësive balancuese të KOSTT, ndihmon në sigurimin e shërbimeve ndihmëse për KOSTT në integrimin e Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë dhe rritë sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend. Ne zotohemi që do të përkushtohemi për përfundimin e projektit në mënyrë të përsosur duke u shërbyer më mirë qytetarëve tanë për një sistem energjetik të qëndrueshëm dhe modern’’ tha ai.

Florina Duli Sefaj theksoi se kjo marrëveshje  shënon një hap të rëndësishëm drejt një të ardhme të qëndrueshme dhe inovative për sektorin e energjisë në Kosovë, dhe është në funksion të mbështetjes për integrimin e burimeve të ripërtrishme, njëkohësisht duke kontribuar në përmbushjen e objektivave të Strategjisë së Energjisë së Kosovës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ajo njëkohësisht theksoi se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm për zbatimin e Kompaktit në tërësi. MCA – Kosovë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të ketë përgjegjësinë për zbatimin e këtij aktiviteti në bashkëpunim të ngushtë me KOSTT.