75 Mall Live Search
20:49 / E Premte, 28 Nëntor 2025 / MSH

KOSTT-i deklarohet rreth furnizimit me energji për ditën e sotme: EFT nuk ka rezervuar kapacitete për furnizim

Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT) ka demantuar deklarimet dhe raportimet se “EFT LLC” do të furnizojë qytetaret e Republikës se Kosovës me energji elektrike, gjatë ditës së sotme – 28 nëntor.

Në një njoftim zyrtar, KOSTT-i ka siguruar qytetarët dhe opinionin publik se “EFT LLC” nuk ka rezervuar në SEE CAO kapacitete ndërkufitare për furnizimin e konsumit të brendshëm në Kosovë, por me qëllim transiti të energjisë elektrike.

Mes të tjerash, në njoftimin e KOSTT-it thuhet:

Palët tregtare rezervojnë kapacitetet ndërkufitare në SEE CAO për import dhe eksport ndërkufitar të energjisë elektrike.

Të hyrat nga shfrytëzimi i këtyre kapaciteteve ndahet ndërmjet OST-ve përkatëse sipas metodologjisë së SEE CAO. Theksojmë që KOSTT është themeluese dhe aksionar në SEE CAO së bashku me shtatë (7) OST-të e rajonit të Evropës Juglindore (Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali i Zi, Shqipëri, Greqi, Turqi dhe Maqedoni e Veriut).

SEE CAO është përgjegjëse për alokimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit të energjisë elektrike në dhjetë kufij të zonave të ofertimit në Evropën Juglindore. Alokimi kryhet përmes ankandeve eksplicite të bazuara në Net Transfer Capacity (NTC) në përputhje me kërkesat e Rregullores (KE) 714/2009 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit mbi kushtet për hyrje në rrjet për shkëmbimin ndërkufitar të energjisë elektrike dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë.