75 Mall Live Search
10:40 / E Mërkurë, 01 Tetor 2025 / KV

“Kouchner dhe gjenerali Jackson kishin marrëdhënie të mira”, thotë Covey

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po e vazhdon dëshminë e tij, amerikan Jock Covey.

Në ditën e dytë të dëshmisë, në sallën e gjyqit u komentua një libër i botuar në vitin 2005, e në të cilin ish-zëvendësi i Bernard Kouchnerit ishte bashkautor.

Këtë libër për të cilën prokurorja pati disa pyetja drejt Covey-t, ky i fundit e ka përdorur si referencë për 15 vjetët e kaluar ku ka dhënë mësim.

Prokurorja: “Aty keni përshkruar mënyrën se si Bernard Kouchner dhe gjenerali Mike Jackson kuptoheshin mirë me njëri-tjetrin, pra kishin takime të rregullta mes vete”.

Këtë, e konfirmoi Covey, duke thënë “Po”.

Prokurorja: “Keni thënë në libër se marrëdhënia e mira, e natyrshme mes Kouchnerit dhe gjeneralit Jackson ishte avantazh i rëndësishëm por më e rëndësishmja që të dy kishin qasje të punës së tyre me vizion të ngjashëm dhe për këtë bashkëpunim kyç, të dy u pajtuan që puna kryesore në fillim duhet të ishte misioni ushtarak pastaj keni thënë që ata kuptuan se KFOR-i nuk mund të kishte sukses në misionin e tij të përgjithshëm pa një proces politik”.

Edhe këtë e konfirmoi dëshmitari amerikan, duke u përgjigjur me “Po”.

Covey më tej u pyet edhe rreth një libri të Bernard Kouchnerit me titull “Luftëtarët e paqes”.

“Keni dijeni për të”, pyeti prokurorja, me përgjigjen e dëshmitarit: “Po”.

“E kam blerë një kopje kohët e fundit, e kam në gjuhën franceze, por nuk e kam lexuar”, u shpreh dëshmitari.