75 Mall Live Search
15:59 / E Enjte, 28 Mars 2019 / indeksADMonline

Kovac befason me deklaratën për blerjen më të shtrenjtë

Bayern i Mynihut ka ndezur para kohe merkaton verore, duke zyrtarizuar edhe blerjen e francezit Lucas Hernandez, për një shifër rekord për Bundesligën gjermane, 80 milionë euro.

Kampioni i botës mund të mos jetë gati që në 1 korrik për trajnerin Niko Kovac, pasi është i dëmtuar, por kroati gjithsesi është entuziast, sepse pak nga pak skuadra e tij po mbushet me lojtarë klasi, shenjë se klubi po i jep mbështetje të plotë.

“Hernandez duhet të jetë gati për ndeshjen hapëse të sezonit të ri, por kjo nuk do të thotë që do të jetë aty që në stërvitjen e parë. Do të shohim si do zhvillohen ngjarjet. Doktori ynë, Müller-Wohlfahrt, është në kontakt me kirurgun, shpresojmë që rehabilitimi pas operacionit të shkojë mbarë dhe Lucas të jetë gati për ndeshjen hapëse të kampionatit të ri”.

Hernandez mund të luajë si qendërmbrojtës ose si mbrojtës krahu, ndaj kanë nisur spekulimet se në verë do të largohet të paktën njëri prej Jerome Boateng e Mats Hummels.

Gjithsesi, Kovac nuk ka sqaruar ku do të luajë 23-vjeçari: “Është lojtar universal, kjo është shumë e rëndësishme për çdo trajner. Është i ri, një kampion bote, i aftë të luajë në disa pozicione, në mbrojtje, por edhe në mesfushë”.

Ndërkaq, Bayern përgatitet për ndeshjen kundër Freiburgut, por me mendjen te Dortmundi, ndeshja e sezonit: “Të gjithë janë në dispozicion, përveç Alphonso Davies dhe Arjen Robben. Ky i fundit nuk e di ende kur do jetë i aftë të stërvitet normalisht, uroj ta kemi në dispozicion për disa ndeshje.

“Freiburg është kundërshtar i sikletshëm, sidomos në fushën e vet, sepse vrapon shumë dhe e mbulon mirë fushën. Megjithatë, duam të fitojmë dhe më pas Gjermania do të ketë atë që dëshiron: një Clasico”.