KPK avancon Armend Zenelajn në pozitën e prokurorit në Prokurori Speciale

Këshilli Prokurorial i Kosovës(KPK) avancoi në pozitën e prokurorit special, Armend Zenelajn.
Në mbledhjen e 273-të të KPK-së, kryesuesi i Panelit për avancim dhe transferim, njëherësh ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, bëri të ditur se për këtë pozitë kanë aplikuar tre kandidatë: Armend Zenelaj, Fitore Sadikaj dhe Sadri Alija, ndërsa pas mbajtjes së intervistave, Zenelaj ka marrë më së shumti pikë, raporton .
Kelmendi tha se ndaj raportit kundërkandidatët kanë pasur të drejtën për paraqitje të kundërshtimeve.
Anëtari i (KPK) Visar Krasniqi elaboroi kundërshtimin e paraqitur nga prokurorja Sadikaj, e cila, sipas tij, ka pretenduar për zbatim të gabuar të kritereve ligjore, duke nisur nga pikët e intervistës, e që sipas saj është përgjigjur saktë duke i plotësuar standardet e kërkuara për përgjigje në pyetjet e komisionit.
“Sadikaj ka pretenduar se mungesa e arsyetimit adekuat për pikët e dhëna nga paneli vlerësues, shton dyshime për mungesë të objektivitetit në vlerësim.
Sadikaj ka kundërshtuar edhe pikët e dhëna nga paneli lidhur me përvojën e punës, pasi që në krahasim me kundërkandidatët, specifikisht njëri me mandat të kufizuar në Departamentin e Përgjithshem dhe me funksion administrativ si anëtar i Këshillit, është e pakrahasueshme si provojë me atë të saj. Prokurorja ka potencuar përvojën prej 20 vjetësh, ku 9 prej tyre i ka në Departamentin për Krime të Rënda. Po ashtu, ka kundërshtuar vlerësimin e panelit lidhur me trajnimet me arsyetimin se paneli ka dhënë pikë më pak sesa specializimet që ka.
Andaj, Sadikaj i ka propozuar Këshillit që kundërshtimi të aprovohet dhe të kthehet në rivlerësim vlerësimi i panelit, duke kërkuar trajtim objektiv dhe të drejtë të kandidatëve”.
Nga ana tjetër, kryesuesi i Panelit për avancim dhe transferim, njëherësh ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi tha se Komisioni ka bërë vlerësim objektiv dhe se kandidati vlerësohet bazuar në intervistën e dhënë para Komisionit.
Këshilli Prokurorial me pesë vota kundër dhe tri abstenime, refuzoi kundërshtimin e paraqitur nga prokurorja Sadikaj.