“Kqyre qysh vrahet njeri”, dëshmitari flet për videon e SnapChat lidhur me vrasjen e djalit të vetëm të familjes Osmani

Seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjilan ka vazhduar me dëshminë e Afrim Kurdiut, shok i të ndjerit Sokol Osmani.
Ai ka rrëfyer se gjithë problemi nisi në një aheng familjar të tij, ku ishin të pranishëm edhe viktima, si dhe Valmir Salihu, i akuzuar për vrasjen.
“Valmiri atë natë ka sulmuar mysafirin nga Shqipëria me shqelma, ai ka qenë shok i imi por më shumë i Sokolit,” tha ai.
“Me përgjegjësinë më të madhe, kurrë Sokoli nuk e ka pa, as kurrë me të s’ka ndejtë. Pas këtij rasti shokët e mi kanë pas problem me Valmirin, unë personalisht jo.”
Më tej, ai ka përshkruar momentin kur ka kuptuar për ngjarjen tragjike.
“Unë e kuptova më 7 nëntor rreth orës 2, kur m’ka thirrë një shok e më ka thënë e kanë vra Sokolin. Unë kam qenë në gjumë. Edhe i thashë çka je tu thënë? Pas kësaj e kam thirrë babin e Sokolit në telefon, e kam pytë a ke fol me Sokolin, më tha jo, prej mëngjesit. Aty i thashë po m’doket ka ndodh diçka. Edhe ato momente e kam thirrë edhe Fanolin dhe kemi shkuar në emergjencë me kqyrë për Sokolin, aty nuk ishte. Kishte qenë në vendin e ngjarjes. Pastaj kemi shku në vendin e ngjarjes dhe e pamë çfarë ka ndodhur,” tha tutje ai.
Ai shtoi edhe një detaj të ditës kritike.
“Atë ditë, Sokoli më tha: Po shkoj me u qeth te berberi.’
Prokuroria e rastit ka pyetur dëshmitarin për informacione rreth veprimeve të të dyshuarve para dhe pas ngjarjes.
“Pas 10 minutave kemi shkuar në vendin e ngjarjes, Floriani ka thirrë në Snapchat, ka thënë kqyre qysh vrahet njëri, por do t’ju shfaqim si hije edhe juve’.” tha ai.
“Nga ai moment vazhduam për ta marrë seriozisht, për të mbrojtur veten dhe familjen.”
“Sipas meje Valmiri e ka vra një 37 vjeçar pa asnjë arsye. Zanafilla e kësaj pune është e shtymja tek ahengu.Kjo është katastrof. Për mua është hakmarrje”, shtoi ai./Indeksonline/