KQZ akrediton 18 mijë vëzhgues për Zgjedhjet Lokale 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e 58-të për këtë vit, nën drejtimin e kryesuesit Kreshnik Radoniqi, ku u prezantua raporti për dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, për Zgjedhjet Lokale 2025.
Sipas raportit, janë nisur përmes postës rreth 44,000 pako me fletëvotime drejt votuesve të regjistruar në disa shtete. Prej tyre, 41,879 pako janë dërguar në bashkëpunim me Postën e Kosovës, ndërsa 2,050 pako përmes postës së shpejtë.
Zarfi që u dërgohet votuesve përmban: fletëvotimet, zarfin e fshehtësisë, udhëzuesin me informacione për plotësim dhe mënyrën e votimit, zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.
KQZ ka bërë të ditur se periudha e votimit përmes postës ka filluar më 17 shtator dhe do të zgjasë deri më 11 tetor 2025, duke përfshirë 43,933 shtetas të regjistruar si votues jashtë vendit. Votuesit duhet të dërgojnë pakon në kutitë postare të KQZ-së, ku në shumicën e rasteve adresa është shënuar paraprakisht. Në rastet kur kjo adresë mungon, votuesit duhet ta shënojnë vetë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ-së.
Po ashtu, në këtë mbledhje, KQZ ka akredituar 18,041 vëzhguesnga 51 subjekte politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2025.
