15:19 / E Mërkurë, 29 Nëntor 2017 / indeksADMonline

KQZ certifikon 37 Kuvendet Komunale përveç Vushtrrisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës, të kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja shpalli Rezultatet Përfundimtare të Zgjedhjeve të raundit të dytë për Kryetarë të 17 Komunave dhe rivotimit për Kryetar të Komunës së Parteshit (19 nëntor 2017) si dhe certifikoi Rezultatet Përfundimtare për 37 Kuvendet Komunale (22 tetor 2017).

KQZ shpalli Rezultatet Përfundimtare të Zgjedhjeve të raundit të dytë për Kryetar në 17 komuna si dhe Rezultatet Përfundimtare të rivotimit për Kryetar të Komunës së Parteshit.

Rezultatet Përfundimtare të raundit të dytë u shpallën për këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri dhe Malishevë.

Në këto rezultate përfundimtare nuk përfshihen rezultatet e Zgjedhjeve të raundit të dytë për Kryetar të Komunës së Istogut dhe Kllokotit, pasi nuk ka përfunduar vendosja lidhur me çështjen e ankesave.

Në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli Rezultatet Përfundimtare edhe të rivotimit për Kryetar të Komunës së Parteshit, që u mbajt më 19 nëntor.

Në këtë mbledhje, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se nga ora 15:00 (datë 29 nëntor 2017) fillon të rrjedhë afati 24 orësh për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

KQZ në mbledhjen e mbajtur të mërkurën (29 nëntor 2017) Certifikoi Rezultatet Përfundimtare të Zgjedhjeve për 37 Kuvendet Komunale që u mbajtën më 22 tetor 2017.

Në këto rezultate të certifikuara nuk përfshihen Rezultatet nga Zgjedhjet për Kuvend Komunal të Komunës së Vushtrrisë pasi në Gjykatën Supreme nuk ka përfunduar akoma vendosja lidhur me ankesat që janë paraqitur në këtë institucion.

Rezultatet të cilat u shpallën nga KQZ-ja i gjeni këtu:

http://www.kqz-ks.org/sq/rezultatet-2017-raundi-ii