KQZ fillon shpërndarjen e pakove zgjedhore për votuesit e diasporës që votojnë me postë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e dërgimit të pakove zgjedhore që përmbajnë fletëvotimet për qytetarët e Kosovës të regjistruar jashtë vendit, të cilët kanë zgjedhur të ushtrojnë të drejtën e votës përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, pakot me fletëvotime do t’u dërgohen rreth 58 mijë votuesve që janë regjistruar për votim me postë. Ndërkohë, 19,257 votues të tjerë, të cilët janë regjistruar për votim fizik jashtë Kosovës, do të votojnë më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike ku janë të regjistruar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se fletëvotimet janë prodhuar në Slloveni dhe kanë mbërritur në Kosovë më 12 dhjetor. Pas pranimit të tyre, shërbimi votues i KQZ-së ka përfunduar përgatitjen e pakove individuale, të cilat tashmë janë të gatshme për t’u dërguar në adresat e votuesve jashtë vendit.
“Fillimisht, pakot do të dërgohen në aeroport dhe gjatë ditës së nesërme do të fillojë shpërndarja e tyre në shtete të ndryshme, përmes shërbimeve postare, në adresat e votuesve. KQZ njofton se gjatë javës në vijim do të përmbyllet i gjithë procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës. Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, tha Elezi.
Sipas njoftimit të KQZ-së, afati për votimin përmes postës është deri më 27 dhjetor, ndërsa votuesit këshillohen që dërgesën me fletëvotim ta postojnë sa më herët, në mënyrë që ajo të mbërrijë brenda afatit të paraparë.
“Është e rëndësishme të theksohet se votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025. Kjo periudhë votimi vlen vetëm për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës. KQZ u bën thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta. Votuesit inkurajohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit”, tha Elezi.
KQZ njofton se, për të mundësuar një proces më të lehtë të votimit për qytetarët e regjistruar për votim me postë, ka vënë në funksion kuti postare në gjithsej 23 shtete. Këto shtete janë: Australia, Austria, Belgjika, Çekia, Danimarka, Franca, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kanadaja, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, SHBA-ja, Shqipëria, Sllovenia, Suedia, Turqia dhe Zvicra.

