
KQZ hedh shortin për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim
IndeksOnline
E Enjte, 04 Shtator 2025 11:23Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e 93 subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e Zgjedhjeve Lokale të 12 tetorit, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi Kreshnik Radoniqi tha se kjo shënon hyrjen në fazën përfundimtare të procesit zgjedhor, i cili po zhvillohet në mënyrë transparente dhe të barabartë për të gjitha subjektet.
“Kjo ngjarje ka simbolikën e vet sepse tregon që kemi hyrë në fazën përfundimtare të procesit zgjedhor që kemi filluar që nga mesi i muajit qershor. Procedura e shortit është transparente dhe është e barabartë për të gjitha partitë politike. Në këtë drejtim KQZ ka detyrë të sigurojë që proceset zgjedhore të jenë të lira, të drejta dhe transparente, të mbështetura me Kushtetutë dhe standardet më të mira ndërkombëtare. Shpreh përkushtimin e plotë për angazhimin tonë që të përmbushim këto objektiva, në mënyrë që qytetarët të shprehin vullnetin dhe që zgjedhjet të gëzojnë besimin e plotë. KQZ është angazhuar intensivisht për zgjedhjet dhe po realizohen të gjitha planet sipas planit. Pas hedhjes së shortit, KQZ do të miratojë dizajnin për përmbajtjen e fletëvotimeve për të mundësuar nga 17 shtatori fillimin e votimit me postë me mbi 46 mijë persona jashtë Kosovës. Aktiviteti i sotëm i hap rrugën 93 subjekteve politike që nga 13 shtatori të fillojnë fushatën e tyre”, tha ai.
Për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, janë të certifikuara 93 subjekte politike, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,626 kandidatë, prej të cilëve 206 kandiatë për Kryetarë të Komunave dhe 5,420 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.