09:56 / E Martë, 21 Maj 2019 / indeksADMonline

KQZ i përgjigjet kërkesës së Kastratit për referendum

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, i ka kërkuar Komisionit Qendror Zgjedhor organizimin e një referendumi konsultativ për reformën në arsim.

Mirëpo, në mbledhjen e KQZ-së që është mbajtur sot, kërkesa e Kastratit nuk është shqyrtuar fare.

Kjo pasi sipas anëtarëve të këtij komisioni, kjo çështje fillimisht është dashur të dërgohet në Këshillin për Çështje Ligjore e pastaj të përcillet në mbledhjen e KQZ-së.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se kjo çështje nuk është dashtë me u diskutuar fare ngase sipas saj ky institucion nuk është fare kompetencë për çështje të tilla.

“Nuk është dashtë më u vendos, ne nuk kem fare kompetenca të tilla”, përcjellë Indeksonline.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se duke pas parasysh gjendjen e arsimit në Kamenicë, e rëndësishme, sipas tij, është përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje rreth reformës.

“Arsimi është një nga problemet akute dhe prioriteti më i lartë në Kamenicë. Prandaj e konsideroj të domosdoshme që qytetari i komunës sonë të përfshihet drejtpërdrejt në vendimmarrje rreth reformës të cilën duam ta ndërmarrim. Reforma e propozuar është komplekse dhe po të mendoja thjesht si politikan karriere nuk do të kisha asnjë arsye t’i futem kësaj sfide. Por në situatën ku jemi, dhe gjendjen ku është katandisur arsimi dhe në çfarë kushte mësojnë nxënësit; është bërë e pashmangshme”, ka thënë Kastrati përmes Facebook. /Indeksonline/