75 Mall Live Search
10:47 / E Martë, 21 Tetor 2025 / S Z

KQZ-ja përmbyll numërimin e votave nga jashtë vendit, në proces është rinumërimi i 5 vendvotimeve dhe votat me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur fazën e numërimit të votave të ardhura nga jashtë vendit, ndërsa po vazhdon me rinumërime të urdhëruara nga PZAP-i dhe me numërimin votave me kusht dhe të atyre të votuesve me nevoja të veçanta.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi i numërimit të votave nga jashtë Kosovës është përmbyllur të hënën rreth mesnatës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

“Të hënën rreth mesnatës, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës. Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si edhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, të martën në mëngjes, në QNR ka filluar rinumërimi i 5 vendvotimeve, në bazë të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Këto vendvotime ndodhen në komunat Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06), Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01), dhe Podujevë (1807/02).

Po ashtu, gjatë ditës së sotme pritet të nisë edhe numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta. Votimi me kusht është zhvilluar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa për personat me nevoja të veçanta është mundësuar votimi jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile.

Sipas KQZ-së, procesi do të nisë me komunat: Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë- Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat tashmë është përmbyllur skanimi i listës së votuesve.

Sipas KQZ-së, në votimin me kusht janë më shumë se 2,119 zarfe me fletëvotime, që i përkasin të dyja llojeve të zgjedhjeve – për kryetarë komunash dhe për kuvendet komunale. Ndërkohë, më shumë se 3,467 votues me nevoja të veçanta ishin të regjistruar për të votuar përmes ekipeve mobile.

Zëdhënësi Elezi theksoi edhe rëndësinë e procesit të skanimit të listave të votuesve që po zhvillohet paralelisht në QNR.

“Ky hap është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy herë: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht”, u shpreh Elezi.

Pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta, KQZ-ja do të mund të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhejve të 12 tetorit.