75 Mall Live Search
11:05 / E Enjte, 25 Shkurt 2021 / OSH

KQZ-ja pritet që sot të vendosë për rinumërim edhe të 58 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që sot të vendos për të çuar në rinumërim edhe votat e 58 vendvotimeve të tjera.

“Ky rekomandim bëhet pasi nga verifikimi i bazës së të dhënave dhe krahasimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve, rezulton se janë 58 vendvotime te të cilat nuk janë shënuar votat për kandidatët, ndërsa subjektit ka të tilla në formularë të rezultateve”, tha Elezi.

Elezi tha se sipas të gjitha të gjasave, kjo do të zgjasë kohën për përfundimin e rinumërimit, porse po punohet maksimalisht që në fillim të javës KQZ-ja të mund t’i shpallë rezultatet përfundimtare.

Nëse KQZ-ja sot vendos për të dërguar në rinumërim votat edhe të 58 vendvotimeve, numri i përgjithshëm i vendvotimeve që do të rinumërohen do të shkojë në 564 sosh.

Rekomandimi për rinumërimin e parë përfshinte 12 vendvotime javën e kaluar, ndërkohë që në fillim të kësaj jave është vendosur për të çuar në rinumërim votat edhe të 494 vendvotimeve të tjera, ndërkohë që sot pritet të vendoset për rinumërim të votave edhe të 58 vendvotimeve të reja.

Gjatë ditës së mërkurë, KQZ-ja ka bërë të ditur se janë rinumëruar deri tani votat e rreth 33 për qind e vendvotimeve të dërguara në rinumërim, apo 161 nga 494 sa është numri i përgjithshëm.

Arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike apo 35 vendvotime, bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve apo 6 vendvotime, kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik apo 370 vendvotime dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas apo 83 vendvotime.

KQZ-ja do të mbajë mbledhjen e radhës sot në orën 13:00.