75 Mall Live Search
11:40 / E Hënë, 15 Dhjetor 2025 / Z S

KQZ-ja publikon adresat e kutive postare, në 23 shtete për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, për votim përmes postës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, janë funksionale kutitë postare në 23 shtete të ndryshme.

Kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri të Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Më 14 dhjetor, KQZ-ja ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Fletëvotimet, të cilat janë shtypur në Slloveni, kanë arritur në Kosovë të premten, më 12 dhjetor dhe pas kësaj shërbimi votues i KQZ-së ka bërë përgatitjen e pakove individuale për secilin votues të regjistruar.

Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim.

Votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta. KQZ-ja inkurajon votuesit e regjistruar që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit.