KQZ-ja synon rezultate të shpejta për kryetarë komunash dhe për kuvende komunale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po synon që në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor, të prezantojë dy lloje të rezultateve preliminare të zgjedhjeve lokale.
Rezultatet jopërfundimtare nga zgjedhjet për kryetarë komunash dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për kuvende komunale, do të mund të transmetohen brenda pak orëve, nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve nga KQZ-ja.
Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt, KQZ-ja kishte dështuar të transmetonte rezultatet preliminare të subjekteve politike për shkak të problemeve të paraqitura me platformën elektronike të rezultateve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KosovaPress se gjatë përgatitjeve të zjedhjeve lokale janë trajtuar edhe sfidat me të cilat është ballafaquar ky institucion në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Në përgjigje ndaj sfidave të paraqitura në zgjedhjet e fundit, të cilat ndërlidhen me procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe evidentimit të tyre përmes softuerit, për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, KQZ-ja ndërmerr veprimet e nevojshme për zhvillimin e softuerit të ri për rezultate preliminare nga vendvotimet, rezultate nga qendrat komunale të numërimit dhe nga Qendra e numërimit dhe rezultateve”, tha Elezi.
I pyetur se çfarë të dhënash do të publikojë KQZ-ja në ditën e zgjedhjeve, Elezi tha se përveç rezultateve preliminare, në orare të caktuara publiku do të njoftohet edhe për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.
“Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe të subjeketeve politike duhet të bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit. Prandaj, KQZ-ja po bën përgatitjet që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për kuvende komunale. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të ditës së votimit, në orare të caktuara do të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, të detajuar për çdo qendër votimi dhe vendvotim”, tha Elezi.
Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale nuk bëhet në vendvotime, por në qendrat komunale të numërimit. KQZ-ja ka caktuar nga një qendër të tillë për çdo komunë dhe do të jenë të vendosura kryesisht në palestra sportive./Indeksonline/