KQZ-ja u mashtrua në zgjedhjet lokale nga kompania e taksive, OSHP-ja e fut në listë të zezë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dërguar në Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kërkesë për diskualifikim dhe futje në listë të zezë të operatorit ekonomik “E Taxi Tesla” Sh.p.k, duke pretenduar se është mashtruar gjatë një aktiviteti të prokurimit publik.
Sipas vendimit, OSHP-ja ka aprovuar kërkesën e KQZ-së, duke diskualifikuar kompaninë nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë prej tre muajsh, nga 18 dhjetori 2025 deri më 17 mars 2026, në bazë të nenit 99 paragrafi 2 të Ligjit për prokurimin publik.
Rasti lidhet me aktivitetin e prokurimit për ofrimin e shërbimeve të auto-taksive për ditën e zgjedhjeve të 12 tetorit 2025 dhe rundin e dytë, ku KQZ-ja kishte për qëllim ta shpërblente këtë kompani me kontratë.
Sipas arsyetimit të KQZ-së, “E Taxi Tesla” Sh.p.k. nuk ka dorëzuar dokumentacionin e plotë të kërkuar për përshtatshmëri, konkretisht vërtetimin nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), edhe pse ishte kërkuar disa herë. Kompania kishte ngarkuar vetëm vërtetimin e gjykatës, duke mos iu përgjigjur fare kërkesave të tjera të autoritetit kontraktues.
KQZ-ja ka vlerësuar se kjo përbën shkelje të rregullores së prokurimit publik dhe ka kërkuar masa ndëshkuese, përfshirë diskualifikimin dhe ndalimin e përkohshëm nga prokurimi publik.
Vendimi i OSHP-së i hap rrugë vazhdimit të procedurës me operatorin e renditur në vendin e dytë, ndërsa kompania në fjalë përjashtohet përkohësisht nga garat publike.

