22:52 / E Martë, 26 Mars 2019 / indeksADMonline

KQZ mbushë një vit pa mandat, përplasje për ndarjen e ulëseve

Sot është bërë një vit i plotë që kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jofunksional dhe pa mandat, për shkak të mosemërimit të anëtarëve të saj të rinj nga ana e presidentit Hashim Thaçi. Partitë të cilat kanë garuar në koalicione tani të ndara në grupe parlamentare po kërkojnë të gjitha anëtar në KQZ, mirëpo presidenti ka dyshimet e tij se si ndahen ulëset në këtë fazë.

Pikërisht për njëvjetorin e bllokadës, ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ka kërkuar nga presidenti të bëj sa më shpejt emërimin e anëtarëve të rinj, shkruan Indeksonline.

“Jemi të shqetësuar me vonesën prej më shumë se një vit të emërimit të dhjetë përfaqësuesve në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ). Dështimi për t’i emëruar përfaqësuesit ia ka pamundësuar KQZ-së kryerjen e funksioneve të saj themelore; më shumë se 30 anëtarë të kuvendeve komunale dhe një deputet i Kuvendit të Kosovës nuk kanë pasur mundësi të marrin detyrën për shkak të vonesës”, thuhet në komunikatën e Ambasadës.

Për këtë vonesë ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu thotë se janë dy çështje të cilat vazhdojnë të mbesin diskutabile dhe të paqarta.

“E para, janë të paqarta disa gjëra sa i përket përparësisë se kush ka të drejtë për t’u përfaqësuar tani nga subjektet politike në KQZ, e cila është pa mandate. E dyta, mbase janë interesat politike të subjekteve, qofshin në opozitë apo në qeverisje, të cilat në mënyrë indirekte ose edhe drejtpërdrejt ndikojnë në presidencë, që eventualisht presidenti të ketë dilema dhe mos t’i mandatojë anëtarët e KQZ-së dhe të mos e funskionalizoj KQZ-në gjë që është një po ashtu një shkelje kushtetuese”, ka thënë Baraliu për Indeksonline.

Sipas tij, mandati është për ta funksionalizuar KQZ-në që është një institucion i pavarur dhe siç thotë ai, sikurse të gjitha organet tjera, edhe presidenca ka për detyrë që të përmbush detyrat dhe përgjegjësitë e saja kushtetuese, që do të thotë në këtë rast ti emëroj anëtarët, ta funksionalizoj atë.

“Pasojat janë shumë të mëdha dhe ka kaluar tanimë një vit që ai institucion është jashtë mandatit dhe jofunksional”, ka thënë tutje Baraliu.

Pas reagimit të ambasadës amerikanë dhe presionit nga partitë politike, zyra e presidentit Kosovës, ka bërë të ditur se të enjten do të bëhet emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së. /Indeksonline/