KQZ miraton emrat e kandidatëve të PDK-së e VV-së, telashe me ata të Listës Serbe
Komisioni Qendror Zgjedhor është mbledhur sot që të bëjë certifikimin e kandidatëve për kryetarë të komunave në veri të vendit për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit.
Debati po zhvillohet rreth kandidatëve të Listës Serbe që janë emra të njëjtë, me ata që u dorëhiqen 5 muaj më parë.
Valmira Selmani nga Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike ka deklaruar se PDK dhe VV kanë plotësuar të gjitha kushtet për të marrë pjesë në zgjedhje.
Ajo bëri të ditur edhe kandidatët nga këto parti për kryetar në këto komuna.
“Kanë garuar tri parti politike, PDK,VV dhe Lista Serbe. Kushtet për certifikim nga PDK janë në përputhje të neneve për zgjedhje të përgjithshëm dhe lokale dhe cenin për certifikimin e kandidatëve. Kjo parti nuk ka pasur gjoba të shqiptuara. Kandidatët: Leposaviq-Shaqir Hetemi, Zubin-Potok: Hysen Mehmeti, Mitrovicë veriore: Ilir Peci, Gonxhe Caushi. Janë plotësuar të gjitha kushtet që subjekti politik së bashku me kandidatët e saj të certifikohen. Kandidatët e VV-së janë në Leposaviq-Fisnik Veselin, Zubin-Potok-Liridona Karimani, Zveçan-Avdi Peci dhe Mitrovicë veriore-Erden Adiq”, tha ajo, raporton Indeksonline.

Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së, tha se nuk do të duhej të ishin kandidatë ata që janë dorëhequr. Sipas tij, ish-kryetarët, me arsyet që i japin dorëheqje janë kundër Kushtetutës dhe në dorëheqje i referohen Kosovës si ‘Kosovo Metohi’.
Ai tha që çështja e rikandidimit të tyre do të duhej të merrej edhe në aspektin ligjor dhe gjykata të vendoste se a kanë të drejtë kandidimi.
“Mendoj që duhet të kemi parasysh disa çështje që të sqarohen paraprakisht. Duhet me bë të qartë, unë nuk jam kundër të asnjë etniteti në Kosovë, megjithatë në rastin konkret e kuptojmë se jemi në një situatë të pazakontë. Edhe në arsye edhe në përmbajtje e formë dorëheqja e katër kryetarëve të komunave binte në kundërshtim me kushtetutën. Tre prej kandidatëve janë ish kryetarët e komunave që kanë dhënë dorëheqje më parë siç e thamë. Duhet ta evidentojmë kandidatët në fjalë së paku tre prej tyre me dorëheqjet që kanë dhënë në formën si e kanë dhënë për bindjen time bien në kundërshtim me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Lista Serbe është dashur të na ofrojë dëshmi shtesë që distancohet nga këto qëndrime dhe të ofrojnë kandidatura të vlefshme”, tha ai.
Ai shtoi se KQZ nuk duhet të qëndrojë indiferentë karshi kësaj gjendje dhe se për këtë çështje të vendos Gjykata Kushtetuese.
“Rikandidimi i tre të dorëheqjeve të cilët e kanë blloku qeverisjen lokale atje do të duhej të ishin të papranueshme. Lista Serbe do të duhej të ofronte kandidatë të tjerë. Unë nuk mund të mbështesë certifikimin e kandidatëve në fjalë”, deklaroi ai.
Por sipas anëtarit tjetër të KQZ-së, Florian Dushit duhet të respektohen dispozitat ligjore që I rregullojnë aspektet që ndërlidhen me certifikimin e subjekteve dhe kandidatëve.
Sipas tij, KQZ do të duhej në respektim të plotë të ligjit për zgjedhje dhe të mos e problematizojë këtë çështje përtej autorizimeve të veta.
Stevan Veselinoviq, anëtar i KQZ-së nga Lista Serbe tha se nuk e sheh problem certifikimin e Listës Serbe me kandidatët e propozuar.
“Sulmet politike vetëm e vërtetojnë që të sulmohen përfaqësuesit e subjekteve politike. LISTA serbe nëse i ka propozu dhe gjithkush e ka të drejtë unë nuk e shoh këtë problem. Mendojë që këtu nuk ka vend për politikën”, tha ai.
Kujtojmë se tre nga kandidatët e Listës Serbë për kryetarë të komunave veriore janë ish-kryetarë të po atyre komunave./Indeksonline/