75 Mall Live Search
16:48 / E Mërkurë, 26 Nëntor 2025 / Z S

KQZ miraton Qendrat e Votimit jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 84-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Radoniqi i bëri thirrje anëtarëve që të votohen qendrat e votimit jashtë Kosovës.

“Kërkoj që të votohet sot sepse nuk ka kohë dhe për mos me thënë që me deshtu, jemi në rrezik për votimin jashtë Kosovës“ , tha Radoniqi.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike për të votuar më 27 dhjetor 2025. Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime, të vendosura në 36 shtete të ndryshme të botës. Megjithatë, kjo listë do të mund të rishikohet nga KQZ, varësisht nga numri i votuesve që do të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike. Gjithashtu, KQZ caktoi numrin maksimal 950 votues që mund të regjistrohen për të votuar në një vendvotim në përfaqësi diplomatike. Sipas vendimit të KQZ-së, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto përfaqësi diplomatike është 62,700 votues.

Po ashtu, sipas vendimit të KQZ-së, Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, u prezantua raporti i Listës Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Lista Preliminare e Votuesve përmban: 2,076,422 votues, prej të cilëve 1,067,499 burra dhe 1,008,923 gra. Pra, kjo listë votuese përmban 7,324 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Lokale, të mbajtura më 12 tetor 2025.

Në fund të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e sloganit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Slogani i fushatës informuese është: KOSOVA VOTON!/Indeksonline/