75 Mall Live Search
11:26 / E Mërkurë, 03 Shtator 2025 / P M

KQZ-ja miraton procedurën për votimin jashtë Kosovës: Zarfi me fletëvotime duhet të pranohet vetëm nga personi i regjistruar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për miratimin e procedurës për votimin jashtë Kosovës dhe vlerësimin e pakove me fletëvotime.

Në mbledhjen e 54-të KQZ-ja theksoi se qëllimi i këtij dokumenti është të përshkruajë të gjitha veprimet për përgatitjen e materialve për votimin jashtë Kosovës.

Procedura parasheh që pakoja me fletëvotime që KQZ-ja ua dërgon përmes postës votuesve jashtë vendit mund të pranohet vetëm nga vetë personi i regjistruar. “Zyrtari i postës duhet të sigurohet që të kontrollojë përmes dokumentit identifikues personin për të cilin është i dedikuar zarfime fletëvotime”, thuhet në këtë procedurë të KQZ-së.

Zarfi i cili do t’i dërghet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.

Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që hapen në shtete të ndryshme.

Sipas KQZ-së, addresat e kutive postare do të publikohen nga KQZ-ja para fillimit të periudhës së votimit me postë.

Në këtë mledhje, KQZ-ja mori vendim edhe për decertifikimin e 9 kandidatëve nga subjekte të ndryshme politike, si: Prishina në dorën tënde (1); Partia Demokratike e Kosovës (1); Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve (1); Partia Liberale Egjitpiane (2) dhe Alternativa (4). Këta kandidatë, ishin certifikuar më herët nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.