75 Mall Live Search
08:50 / E Hënë, 14 Korrik 2025 / k.v

KQZ: Ndërrimi i qendrës së votimit është në vullnetin e votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se ndërrimi i qendrës së votimit vetëm brenda komunës, është një shërbim që ky institucion e ofron për qytetarët me të drejtë vote. Sipas KQZ-së, ndërrimi i qendrës së votimit është në vullnetin e votuesve, në rastet kur e shohin të arsyeshme, në mënyrë që ta caktojnë atë sa më afër vendbanimit të tyre.

Këto sqarime janë dhënë nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se këto ndryshime mund të bëhen deri më 29 gusht 2025.

“Në pajtim me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, KQZ-ja e ofron shërbimin për votuesit për ta ndërruar qendrën e tyre të votimit dhe për ta caktuar atë sa më afër vendbanimit të tyre. Votuesit mund të qasen në platformën elektronike të KQZ-së (https://qv.kqz-ks.org) dhe ta shohin se në cilën qendrën të votimit do të votojnë, më 12 tetor 2025 dhe nëse dëshirojnë mund ta parashtrojnë kërkesën për ta ndërruar atë”, tha Elezi

Sipas KQZ-së, kërkesa për ndërrim të qendrës së votimit mund të parashtrohet online përmes të njëjtës platformë elektronike, ose duke paraqitur fizikisht kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi.

Zëdhënësi Elezi, ka sqaruar gjithashtu se, ndërrimi i qendrës së votimit nga një komunë në komunën tjetër, nuk mundësohet drejtpërdrejtë nga KQZ-ja, por kjo është e ndërlidhur me deklarimin zyrtar të vendbanimit nga qytetarët.

“Përmes KQZ-së, votuesi mund të ndryshojë qendrën votimit vetëm brenda komunës. Por, për të kaluar nga një qendër votimi e një komune, në qendrën e votimit në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij në Zyrën e gjendjes civile apo në platformën E-Kosova. Pas konfirmimit të ndryshimit të adresës nga Shërbimi i Gjendjes Civile, adresa e re reflektohet në regjistrin qendror civil. Çdo ndryshim i adresës së banimit deri më 29 gusht 2025, do të pasqyrohet në platformën e KQZ-së dhe rrjedhimisht në listën votuese”, tregoi ai.