75 Mall Live Search
14:39 / E Hënë, 12 Janar 2026 / b l

KQZ në pritje të ankesave para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Ekonomia Online se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të ankesave për zgjedhjet e 28 dhjetorit, para se të shpallë rezultatet përfundimtare.

Ai ka thënë se, nëse partitë politike ose kandidatët kanë ankesa, fillimisht mund t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa më pas çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave për administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, si dhe të plotfuqishmërisë së vendimeve dhe zbatimit të tyre, nëse këto vendime e detyrojnë ndonjë veprim KQZ-në. Vetëm pas kësaj, KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar”.

Tutje, ai theksoi se KQZ është e obliguar t’i presë këto afate dhe vetëm pas përfundimit të tyre të vazhdojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare.

“Subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese, fillimisht në PZAP, dhe më pas çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar t’i presë këto afate dhe vetëm pas përfundimit të tyre të vazhdojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe me përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka deklaruar Elezi.