KQZ-ja pritet të mbajë sot mbledhjen e radhës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të mbajë sot mbledhjen e radhës në zyrat e tij. Në rend të ditës janë disa pika të rëndësishme, përfshirë shqyrtimin dhe miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara, si dhe raportimin për aktivitetet e zyrës së KQZ-së.
Po ashtu, anëtarët e KQZ-së do të shqyrtojnë dhe miratojnë rekomandimin për akreditimin e organizatave vëzhguese për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025 – Grupi IV.
Në kuadër të Këshillit për operacione zgjedhore, pritet të diskutohet dhe miratohet Procedura e qendrës së numërimit dhe rezultateve, Plani operacional për ditën e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, si edhe pagesa për objektet private që do të përdoren si qendra të votimit.
Ndërkohë, Këshilli për çështje ligjore do të shqyrtojë kërkesat për zëvendësimin e një anëtari të Kuvendit Komunal të Gjakovës.

