13:06 / E Martë, 11 Prill 2023 / LB

KQZ pritet të miratojë listën me qendrat e votimit për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e radhës pritet të miratojë listën me qendra të votimit të cilat do të hapen për zgjedhjet e 23 prillit në veri të vendit.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

“Sa i përket çështjes së qendrave të votimit në mbledhjen e radhës KQZ do të miratojë listën me qendra të votimit të cilat do të hapen në këto zgjedhje”, ka thënë Elezi.

Elezi ka folur pasi ka dështuar të mbahet mbledhja e KQZ-së e cila ishte paraparë për sot.

Sipas tij, KQZ ka shtyrë për në mbledhjen e radhës diskutimet dhe vendimmarrjen për qendrat e votimit që do të hapen në zgjedhjet e 23 prillit në katër komuna të veriut të Kosovës.

Ai ka thënë se në mbledhjen e paraparë të zhvillohet sot, në rend dite ishte edhe njoftimi lidhur me vlerësimin e rrezikut për qendrat e votimit në këto komuna.

“Në momentet e fundit derisa po diskutohej në Këshillin për operacione zgjedhore ku po trajtoheshin shumë prej çështjeve të cilat priteshin të dilnin sot në rendin e ditës, anëtarët e KQZ-së konsideruan se do duhet më shumë informacione lidhur me pikat e rendit të ditës që kanë qenë të planifikuara për sot, për mbledhjen e KQZ-së. Mbledhja e paraparë të zhvillohet sot në ora 11:00 është shtyrë për ditën e nesërme, ndërkaq për orën do të ju njoftojmë nesër”, ka thënë ai.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit do të mbahen më 23 prill.