KQZ: Procesi i numërimit po vazhdon në shumicën e komunave, përfundon në Junik, Mamushë dhe Zveçan

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se procesi i paraparë po vazhdon normalisht në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në vend.
Sipas tij, deri në orën 16:00 të ditës së martë, procesi i numërimit ka përfunduar në tri komuna: Junik, Mamushë dhe Zveçan, ndërsa në Hanin e Elezit është mbyllur mbrëmjen e së hënës.
Ndërkohë, po në orën 16:00 të së martës, ka nisur puna edhe në tri Qendra të reja Komunale të Numërimit: Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot.
Elezi ka sqaruar se në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen njëkohësisht tre procese të rëndësishme:
verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave,
verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale,
si dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Sipas të dhënave të fundit, deri në orën 16:00 janë verifikuar rezultatet për 550 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë komunash dhe rezultatet për subjektet politike nga 334 vendvotime. Po nga kaq vendvotime janë numëruar edhe votat e kandidatëve për Kuvendet Komunale.
Ndërkohë, në platformën zyrtare të KQZ-së kanë nisur të publikohen rezultatet nga Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat përfshijnë:
rezultatet e verifikuara nga zgjedhjet për kryetarë komunash,
rezultatet e verifikuara të subjekteve politike,
si dhe votat e kandidatëve për Kuvendet Komunale.