KQZ: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në vend, ndërsa materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në orët e hershme të mëngjesit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i votimit ka filluar në të gjitha komunat e Kosovës.
“Ju njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet është shpërndarë me kohë për në të gjitha Qendrat e Votimit. Gjithashtu, njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga KQZ, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka nisur në të gjitha Qendrat e Votimit në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Ai bëri të ditur se sot votimi zhvillohet në 949 qendra të votimit në të gjithë vendin.
“Sot, procesi i votimit zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht”, tha ai.
Elezi tha se sipas Listës së Votuesve, mbi 1.9 milion qytetarë kanë të drejtë vote në këto zgjedhje.
“Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 1,959,962, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese: të drejtën e votës”, tha ai.
Ai tregoi se në zgjedhje marrin pjesë 21 subjekte politike dhe 902 kandidatë për deputetë.
“Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 21 subjekte politike, prej të cilave: 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 902 kandidatë, prej të cilëve 593 burra dhe 309 gra”, tha ai.
Elezi njoftoi gjithashtu se qytetarët mund ta kontrollojnë online qendrën ku votojnë.
“Po ashtu, në këtë orë të parë të fillimit të procesit të votimit, njoftojmë se përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org secili votues mund të kontrollojë me lehtësi se ku është Qendra e Votimit ku është caktuar të votojë”, tha ai.
Ai tha se KQZ-ja ka funksionalizuar edhe dhomën operative në koordinim me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit.
“Në kuadër të angazhimeve për administrimin e rregullt të procesit zgjedhor, KQZ ka funksionalizuar dhomën operative, e cila funksionon me pjesëmarrjen e zyrtarëve të KQZ-së, Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës. Përmes këtij mekanizmi, monitorohen zhvillimet gjatë ditës së votimit dhe sigurohet koordinimi institucional për trajtimin e çdo raportimi apo informacioni të pranuar, në përputhje me përgjegjësitë e përcaktuara me ligj të secilit institucion”, tha ai.

