19:53 / E Diele, 23 Prill 2023 / S Z

KQZ: Procesi zgjedhor në veri pa asnjë problem, votuan vetëm 1567 qytetarë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi zgjedhor në katër komunat në veri,  është zhvilluar pa asnjë problem dhe se të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur.

Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media, ka thënë se aktualisht anëtarët e këshillave të vendvotimeve në këto qendra, janë duke bërë numërimin e fletë votimeve.

Sipas KQZ-së në katër komunat në veri, kanë votuar vetëm 1 mijë e 567 qytetarë me të drejtë vote.

Në Leposaviq kanë votuar 141 votues apo 1.06 për qind. Në Zubin Potok  kanë votuar 385 qytetarë apo 5.78 për qind. Në Zveçan  kanë votuar 204 votues apo  2.92 për qind si dhe në Mitrovicën e veriut 837 votues apo 4.62 për qind

“KQZ ka ofruar mundësi dhe kushte për të gjithë qytetarët me të drejtë vote, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, tha Radoniqi.

Ai falënderoi policinë e Kosovës, Prokurorin e shtetit dhe institucionet tjera për angazhimin  e tyre,  për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri./Indeksonline/